Dëshmia që “fundosi” bandën e Lushnjës
Laureta Rryçi
Tiranë - Si rrallëherë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, një dëshmitar nuk ka ngurruar të tregojë fill e për pe se çfarë i kishte ndodhur në vitin 1997. Gjatë seancës së radhës mbi të akuzuarën bandë të Lushnjës, banori nga e njëjta zonë, Shkëlqim Haxhia, i ka rrëfyer gjykatës se jo vetëm Aldo Bare, por edhe shokët e tij ia dogjën shtëpinë. I thirrur në pozicionin e dëshmitarit nga përfaqësuesi i Akuzës, Haxhia shënoi dje ndoshta dëshminë më të rëndë që është dëgjuar deri tani nga ndonjë “viktimë” e bandave të ‘97-s. Ndërsa ka treguar deri në detaje fakte nga ajo ditë që jo vetëm jeta e tij, por edhe e djalit duket se ka shpëtuar për një fije peri. Dëshmitarit, pak vite më vonë i ekzekutohet i biri. Dosje kjo që vazhdon të mbetet pa autor dhe sot e kësaj dite. Seanca e djeshme vijoi pas disa seancash shtyrje për shkak se nuk vinin dëshmitarët e akuzës për të dëshmuar mbi krimet që u janë bërë.
Dëshmia
Një përplasje e fortë u shënua dje mes të akuzuarve dhe dëshmitarëve në seancën e radhës ndaj bandës së Lushnjës. Dje, në sallën e gjyqit është dëgjuar një prej dëshmive më të forta, që nëse gjyqtarët e marrin parasysh, e “fundosin” bandën famëkeqe të Lushnjës. Dëshmitari Shkëlqim Haxhia ka dëshmuar para togave të zeza se banda e Lushnjës, më në krye Aldo Baren, i ka djegur shtëpinë në gusht të 1999-s. Dëshmitari pohoi se anëtarët e bandës kanë shkuar në banesën e tij me makinë policie dhe rroba ushtarake dhe i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërkohë që ai së bashku me djalin janë hedhur nga dritarja për t’i shpëtuar një tragjedie të mundshme. Por në 2005-n djali i Haxhisë vritet në rrethana misterioze në një krim ende i pazbardhur. Dëshmia e Haxhisë shkaktoi reagimin e njërit prej anëtarëve të bandës, Rexhep Gina. Kjo cilësohet si një nga dëshmitë më të forta në procesin ndaj bandës, të akuzuar për një sërë veprash penale.
Dosja
Organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka sjellë prova të pakontestueshme për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit, Luan Bilbilit, Xhevet Demirit, që kanë ndodhur gjatë vitit 1997-1998. Pikërisht më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, e vetëm 9 ditë më vonë të po atij viti u ekzekutuan Masar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbilit, pikërisht më 18 gusht 1988. Mbi të pandehurit rëndojnë akuza të rënda, të cilat janë të provuara dhe të mbështetura me dëshmi të pakontestueshme.
25 Tetor 2008