Dokumentet false në tender çojnë në pranga zyrtarin e Tatimeve dhe adminsitratorin
LIBRAZHD – Falsifikimi i dokumenteve për hyrjen në një tender ka çuar në praga ish-kreun e Tatimeve të Librazhdit, i cili është aktualisht zyrtar në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Elbasan dhe administratorin e një firme. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se ditën e premte janë ndaluar shtetasit Fatmir Venetiku dhe Bashkim Hoxha. Ata akuzohen për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe “shpërdorim detyre”. Për ndalimin e tyre, ekspertët e Krimit Ekonomik organizuan operacionin e koduar me emrin “Sopoti”. Ish kreu i Tatimeve të Librazhdit Venetiku, me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Menaxhimit të Borxhit pranë Drejtorisë së Tatimeve në Elbasan, dyshohet të kenë falsifikuar dokumentacionin për numrin e punonjësve të siguruar në një firmë private, e cila administrohet nga shtetasi Bashkim Hoxha.
Skema
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se në qershor të këtij viti dyshohet se Bashkim Hoxha, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit “H….Sh.p.k.”, rritën në mënyrë fiktive numrin e punonjësve të siguruar. Ai së bashku me Venetikun, i cili është me profesion ekonomist, dhe punon në Zyrën Rajonale të Tatim Taksave në Elbasan, mendohet ta kenë bërë një gjë të tillë në momentin që po konkurronin për të marrë një tender. Burimet zyrtare pohojnë se kjo firmë ka arritur të fitojë tenderin e prokuruar nga komuna e Qukësit për ndërtimin e rrugës Plizë–Pishkash në rrethin e Librazhdit. Por, pas verifikimeve të bëra nga agjentët e Krimit Ekonomik, të cilët kishin marrë të dhëna më parë për procedurat e realizimit të tenderit, ka rezultuar se firma kishte më pak punonjës të siguruar sesa ishte deklaruar në dokumentin e paraqitur para komisionit të tenderimit.
Arrestimi
Pas hetimeve të para, policia e Elbasanit ekzekutoi dje urdhrin për ndalimin e dy shtetasve Bashkim Hoxha dhe Fatmir Venetiku, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. 41-vjeçari Venetiku është me banim në Librazhd, ndërsa Bashkim Hoxha, 50 vjeç, ka lindur në Zdrajc dhe banon në të njëjtin qytet në Librazhd. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Venetiku, ekonomist, (ish-shef i Degës së Tatimeve në Librazhd), me detyrë aktuale Përgjegjës i Zyrës së Menaxhimit të Borxhit pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Elbasan, si dhe Hoxha, administrator i firmës së ndërtimit “H…. Sh.p.k”, janë ndaluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Dy të ndaluarit ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, në pritje të nisjes së hetimit për dy veprat penale që rëndojnë ndaj tyre, ajo e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Abuzimi me pensionet, hetime për 5 punonjës të Sigurimeve
ELBASAN – Për 5 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shpërdorim detyre që nga dita e djeshme. Burime të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se sektori i Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj pesë punonjëseve të DRSSH-së pasi ato, në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë shkelur ligjin dhe rregullat që lidhen me sigurimet shoqërore dhe caktimin dhe pagesën e pensioneve. i njëjti burim njofton gjithashtu se edhe nëntë pensionistë nga mosha 61-72 vjeç, po procedohen në gjendje të lirë pasi kanë falsifikuar dokumentet e pensionit. Edhe në rrethet e Kukësit, Durrësit, apo Mirditës janë regjistruar me qindra raste të përfitimeve të padrejta të pensioneve nga shtetas të ndryshëm.
Arrestohet 221-vjeçari, tentoi të hyjë në traget me leje zvicerane false
DURRËS – Një 21-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi ka tentuar të kalojë drejt Italisë përmes Portit të Durrësit me një leje qëndrimi zvicerane, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se paraditen e së enjtes u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bledar Noni, lindur dhe banues në fshatin Polis të Librazhdit. Prangosja e tij u bë për arsye se tri ditë më parë, rreth orës 22.00, është kapur nga punonjësit e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit, pasi ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme. Ai ka paraqitur në kontrollin kufitar një leje qëndrimi zvicerane, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Dosja në ngarkim të Nonit i ka kaluar prokurorisë së rrethit pasi akuzohet për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”.
25 Tetor 2008