E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monedhat shqiptare, BSH gati rishtypjen për prerjen metalike 10 lekëshe



TIRANË - Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektin “Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, me prerje 10 lekë”. Sipas Bankës Qendrore, vendimi për zbatimin e këtij projekti pritet të miratohet javën e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Ndërkohë, BSH-ja, mbështetur në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, në pikën "Për hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartmonedhave dhe monedhave kombëtare e për tërheqjen nga qarkullimi të parasë", po vazhdon punën për tërheqjen nga qarkullimi të disa kartmonedhave. Sipas BSH-së, nga qarkullimi do të tërhiqen, kartmonedha të prerjes 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i "Luftëtarit Kombëtar"; kartmonedha e prerjes 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i "Fan S. Noli" dhe kartmonedha të prerjes 200 lekë, emetim i viteve 1992, 1994 dhe 1996, imazhi i "Ismail Qemalit". Tërheqja e plotë nga qarkullimi do të vazhdojë deri më 31.12.2010 dhe do të bëhet në dy faza. Në fazën e parë, këto kartmonedha do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor, pra do të mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datë 31.12.2008. Pas kësaj date, ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese. Në fazën e dytë, kartmonedhat me prerjet e përcaktuara më lart, do të mblidhen për këmbim kundrejt pagesës të vlerës fillestare të emetimit me kartmonedha dhe monedha të tjera të qarkullimit, deri në datën 31.12.2010. Sipas BSH-së, dorëzimi dhe këmbimi i tyre me kartmonedha e monedha metalike me kurs ligjor do të bëhet pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë pa pagesë. BSH-ë udhëzon bankat e nivelit të dytë që në periudhën 01.01.2009 deri më 31.12.2010, të pranojnë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë me këmbim, prerjet e mësipërme, kundrejt vleftës së plotë fillestare (vlerës nominale), me monedha kombëtare të qarkullimit.

Ankandi, BSH hedh për shitje 9.8 miliardë lekë bono thesari

TIRANË - Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12-mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 9.8 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor, u paraqitën 41 kërkesa konkurruese, prej të cilave u pranuan 28. U kërkuan për shitje bono me vlerë 10.121.610.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6.400.000.000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.10 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.88 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.02 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.04 për qind. Këto bono maturohen më 29.10.2009. Për bonot me maturim 6-mujor, vlera e kërkuar dhe ajo e shitur është 3.400.000.000 lekë. Ndërkohë që u pranuan të 12 kërkesat konkurruese të paraqitura. Yield-i maksimal i pranuar është 7.35 për qind, yield-i minimal është 6.94 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.23 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në 03.04.2009.

Bursa e titujve, AMF miraton rregulloren e re mbi licencimin dhe mbikqyrjen

TIRANË - Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi rregulloren e re për Licencimin dhe Mbikëqyrjen e Bursës së Titujve. Sipas burimeve zyrtare të AMF-së, qëllimi i kësaj rregullore është të parashikojë kushtet, kërkesat dhe procedurat për licencimin e shoqërisë që do të veprojë si bursë titujsh dhe kushtet e kërkesat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e një shoqërie që vepron si e tillë. Kjo rregullore u përgatit me asistencën e “FSVC”-së, e cila ofroi konsulencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Polonisë. Në përgatitjen e rregullores janë marrë parasysh eksperiencat e vendeve të Evropës Lindore. Ndërkohë AMF-ë do të nisej javën e ardhshme dhe testin për vlerësuesit e dëmeve në sigurime. Personat fizikë, drejtuesit si dhe punonjësit e angazhuar me vlerësimin e dëmeve të personit juridik, që kërkojnë të pajisen me liçencë si vlerësues të dëmeve, do t'i nënshtrohen testimit për njohuritë në fushën e sigurimeve. Testimit do t’i nënshtrohen dhe subjektet, të cilët kërkojnë të rinovojnë licencën si vlerësues të dëmeve në sigurime.
Burime zyrtare të AMF-së bënë të ditur, se duke iu referuar ligjit "Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare", si dhe atij "Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime", pranë ambienteve të AMF-së, do të zhvillohet testimi per vlerësuesit e dëmeve në sigurime.

25 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›