Meta: “Ndryshimi i Kushtetutës po e mbron Berishën nga Drejtësia”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim në rrethin e Dibrës. Më pas, duke marrë fjalën, lideri i LSI-së, Ilir Meta, pasi falënderoi të rinjtë dibranë, u shpreh se “është një kënaqësi e jashtëzakonshme që marr pjesë në këtë takim madhështor të LRI-së së rrethit të Dibrës. Është kënaqësi e madhe për mua, në radhë të parë për entuziazmin dhe për shpirtin tuaj solidar në këtë proces të fuqishëm ndryshimi që ka nisur në Dibër dhe do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Sepse nuk mund të ketë asnjë proces ndryshimi askund në botë në rast se rinia nuk është pjesëmarrëse dhe frymëzuese e këtyre ndryshimeve”, - tha Meta. Duke folur për situatën aktuale, për sulmet e ndërmarra nga maxhoranca në drejtim të organeve të Drejtësisë, kryetari i LSI-së fajësoi ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Meta tha se janë pikërisht këto ndryshime kushtetuese, të cilat i mundësojnë krye të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit dhe skandaleve korruptive, kryeministrit Sali Berisha që t’i shmanget drejtësisë. “Janë këto ndryshime që e bëjnë Sali Berishën që jo vetëm të mbrohet nga Drejtësia, por edhe të marrë revansh kundër Drejtësisë, kundër pavarësisë së gjykatave, kundër pavarësisë së Prokurorisë dhe kundër qëndrimeve të përfaqësueseve të opozitës. Janë këto ndryshime që Sali Berisha i krekoset deputetëve, madje t'i lutet opozitës për t'i bërë mocion mosbesimi sepse me ndryshimet e bëra në Kushtetutë tashmë nuk duhen 71 vota për të hequr Sali Berishën, por duhen edhe 71 vota më parë për të vendosur një tjetër në vend të tij. Janë këto ndryshime që Sali Berisha mbrohet nga Gërdeci. Pra është ky Berishë që kërkon të na kthejë 11 vjet pas”, - tha kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
21 Tetor 2008