E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita: “Do t’i rishikojmë nëse miratohen me forcën e kartonëve”



Kontestimet e projektligjeve të propozuara nga maxhoranca për sistemin e drejtësisë opozita i cilëson jo vetëm si antikushtetuese dhe cenuese të pavarësisë së sistemit, por i lidh edhe me përpjekjet e kryeministrit Berisha për të penguar zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Përfaqësues të opozitës pohojnë për gazetën “Albania” se në rast se projektligjet në fjalë do të miratohen në Kuvend me forcën e kartonëve nga maxhoranca, ato do të rishikohen menjëherë pas largimit të Berishës dhe të Partisë Demokratike nga pushteti. “Ligji për administratën gjyqësore, ligji për Prokurorinë, ligji për noterinë dhe disa ligje të tjera që janë në Kuvend sot, janë thjesht nisma antireformë dhe antishtet dhe për këto arsye janë të papranueshme për ne. Nëse qeveria insiston t’i miratojë me forcën e kartonit, është e sigurt që vitin e ardhshëm ne do t’i korrektojmë të gjitha këto ligje të mbrapshta. Në kushtet kur detyrohemi nga sjellja e qeverisë të marrim këtë pozicion, është e qartë se ideja e reformave konsensuale ka marrë fund”, - deklaron kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani. Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, bën të ditur se LSI-ja prej kohësh kishte denoncuar pamundësinë e realizimit të reformave pikërisht me kryeministrin Berisha. “Kur nga kjo tribunë, muaj më parë, ngritëm shqetësimin se si mundet që një pjesë e opozitës t’i japë konsensus Berishës për reformat e pakryera, si Reforma në Drejtësi dhe reforma zgjedhore, askush nuk reagoi”, - deklaron Legisi. Kjo është edhe arsyeja për të cilën LSI-ja mban një qëndrim radikal në lidhje me qeverinë dhe reformat. Madje në protestën më të fundit të organizuar nga opozita, përfaqësuesit e LSI-së dolën me moton, “Me Berishë nuk ka reforma, me Berishën ka viktima”.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›