E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehi kundër votimit të emigrantëve: “Vendet fqinje do t’i manipulonin zgjedhjet në Shqipëri”



Nëse do t’i jepet e drejta emigrantëve shqiptarë të votojnë për zgjedhjet që mbahen në Shqipëri, rezultati i zgjedhjeve do të ishte i manipulueshëm nga qeveritë e vendeve fqinje. Kështu argumenton kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Gjatë një prononcimi për mediat, Shehi bën të ditur se emigrantëve duhet t’u garantohet e drejta e votës, por sipas, tij kjo është pamundur të realizohet aktualisht nga Shqipëria. “Ne nuk kemi akoma një shtet kaq të organizuar, të strukturuar me ambasada, se ambasadat organizojnë zgjedhjet. Ne kemi vështirësi t’i organizojmë në Shqipëri zgjedhjet, imagjino jashtë Shqipërisë. Ne i gjykojmë se janë plotësisht të manipulueshme”, - është shprehur Shehi. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar bën të ditur se Shqipëria ka rreth 100-150 mijë emigrantë që mund të votojnë në vendet fqinje. Por, sipas tij, fakti që emigrantët shqiptarë, kryesisht ata që ndodhen në Greqi, kanë ndryshuar emrin për të marrë dokumentet e shtetit fqinj, sipas Shehit ata e kanë të lehtë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, në varësi të politikës që ndjek shteti fqinj. Një deklaratë e tillë është plotësisht aktuale duke u nisur nga sërë precedentësh. Gjatë zgjedhjeve lokale të shkurtit të vitit 2007 faktori grek solli destabilizim të situatës në qytezën e Himarës, në jug të Shqipërisë. “Ne kemi 100 mijë emigrantë shqiptarë që kanë ndryshuar dhe emrin. Imagjinoni se sa kollaj do ta ndryshonin rezultatin elektoral. Realisht ky është një komunitet që për hir të mungesës së prezencës së shtetit shqiptar atje, traditës që s’kemi votuar ndonjëherë atje, mungesës së strukturës kulturore dhe arsimore jashtë territorit të Shqipërisë, të tentojmë që të fusim zgjedhjet. Unë mendoj se minimalisht 150 mijë vota mund të vendoset nga fqinjët tanë se kush do të fitojë në Shqipëri. Këto vota përbëjnë rreth 15% të votave dhe ndikojnë se kush do të qeverisë. Pra vendoset në bazë të dëshirës së fqinjëve tanë. Unë e konsideroj të parakohshme për Shqipërinë dhe të rrezikshme për shoqërinë shqiptare votimin e emigrantëve”,- është shprehur Shehi.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›