Projektligjet e shumicës, që dështuan reformën në Drejtësi
Shaban Sulçe
Reforma në Drejtësi është gjithnjë e më shumë drejt dështimit. Pavarësisht se të gjitha forcat politike, përfshirë edhe ato të opozitës, dhanë mbështetjen e tyre në fillim të këtij viti për të realizuar një prej kushteve më të rëndësishme për integrimin e vendit, realizimi i Reformës në Drejtësi mbetet ende larg dhe mund të konsiderohet thuajse i pamundur. Shkak për këtë janë bërë një sërë projektligjesh të sistemit të drejtësisë, të propozuara nga maxhoranca. Duke filluar nga ligji për Prokurorinë, ai për administratën gjyqësore, avokatinë dhe së fundi projektligji për Përmbarimin, ka pasur reagime mjaft të forta nga ana e opozitës, por edhe nga ana e grupeve të interesit. Projektligjet e propozuara nga maxhoranca janë cilësuar si antikushtetuese dhe cenuese të sistemit të drejtësisë. Opozita ka deklaruar se do të votojë kundër këtyre projektligjeve, ndërkohë që përfaqësues të saj pohojnë për gazetën “Albania” se në rast se këto projektligje do të miratohen në Kuvend me forcën e kartonëve, këto projektligje do të rishihen menjëherë pas largimit të maxhorancës në zgjedhjet e ardhshme.
Ligji për Prokurorinë
Ky projektligj i propozuar nga maxhoranca një muaj më parë ka mbjellë më shumë polemika dhe kontestime nga ana e maxhorancës. Nisur edhe nga situata aktuale, projektligji për ndryshimet në ligjin “Për Prokurorinë” është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët e kanë komentuar atë si një tentativë të kryeministrit për të cenuar pavarësinë e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Ishte kryetari i LSI-së Ilir Meta ai që u bëri thirrje në fillim të muajit shtator të gjitha forcave të opozitës që të unifikonin votën e tyre për ta kundërshtuar atë në Kuvend. “Heqja e imunitetit të prokurorëve, shkarkimi nga detyra me fillimin e procedimit penal, ndryshimi i varësisë së Policisë Gjyqësore, heqja e të drejtave të përfaqësuesit të presidentit në Këshillin e Prokurorisë dhe marrja e tyre nga përfaqësuesit e qeverisë, shmangia e qëllimtë nga procesi i mendimit ekspert dhe veçanërisht e Shoqatës së Prokurorëve dhe e trupave të tjera të specializuara juridike dhe të gjitha këto janë një agresion i rëndë për kapjen që kjo qeveri do t’u bëjë institucioneve të pavarura, veçanërisht atij gjyqësor”, - do të deklaronte Meta. Kundërshtimi për ligjin ndaj Prokurorisë erdhi edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të tërhiqte dhe ta rishikonte këtë projektligj në një afat ditor prej 30 ditësh. Por edhe sot e kësaj dite maxhoranca nuk është tërhequr mbrapa në këtë projektligj, pavarësisht edhe kritikave të bëra në drejtim të saj nga faktori ndërkombëtar.
Projektligjet e tjera
Janë një sërë projektligjesh që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, të cilat janë kundërshtuar jo vetëm nga maxhoranca, por edhe nga grupet e interesit. Shumë i debatueshëm dhe i kontestueshëm ka qenë edhe projektligji i maxhorancës për pushtetin gjyqësor. Si Partia Socialiste, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe kanë qenë unike në qëndrimet e tyre kontestuese ndaj këtij projektligji, i cili është cilësuar antikushtetues dhe tentativë e kryeministrit Berisha për të ndikuar në zbardhjen e së vërtetës të Gërdecit. Projektligjet e kundërshtuara gjithashtu janë projektligji për administratën gjyqësore, për SHKB-në, ai i avokatisë, projektligji për noterinë dhe së fundi projektligji për Përmbarimin. Në të gjitha këto projektligje përfaqësuesit e opozitës kanë denoncuar përmbajtje antiligjore dhe antikushtetuese. Këto projektligje janë cilësuar nga opozita si arnime të shëmtuara që godasin themelet e funksionimit të shtetit, sepse cenojnë hapur pavarësinë e Drejtësisë.
Projektligjet e kontestuara
Ligji për Prokurorinë
Ligji për pushtetin gjyqësor
Ligji për administratën gjyqësore
Ligji për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm
Ligji për Avokatinë
Ligji për Noterinë
Ligji për Përmbarimin
21 Tetor 2008