E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia,Pashë Budion Meçen të merrte në pyetje Remzi Hoxhën

Gjykata e Krimeve të Rënda vijoi dje procesin gjyqësor për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, me pyetjen e disa dëshmitarëve, ish apo dhe punonjës aktualë të SHIK/SHISH. Përgjatë seancës së djeshme, dëshmitarët e parë u përgjigjën se nuk kishin dijeni për ngjarjen, ndërkohë që ish-roja i godinës, Viktor Sokoli, dha detaje rreth asaj që kishte parë 12 vjet më parë në Vain të Lezhës. “Në godinën ku unë isha roje vinin shumë njerëz me thes në kry (kokë). Kishin programet e veta, i mbanin 2, 5 apo dhe 10 ditë. E kam parë atë kosovarin me mustak, Remziun, kur e kanë shoqëruar për në godinën tonë në Vain. Emrin e tij e mësova nga shokët që punonin brenda në godinë. Më thanë që e quanin Remzi Hoxha. Një ditë e pashë që po e merrnin në pyetje. Gjithçka e pashë nga dritarja. Oficeri i SHIK-ut, Budion Meçe, po e pyeste Remziu ulur në krevat, ndërsa oficeri në karrige. Më pa pranë dritares dhe më tha të largohesha. Dëgjova që Remziu po pyetej me tone të larta dhe kërcënuese”, - ka vijuar rrëfimin e tij ish-roja Sokoli, i cili i pyetur nëse keqtrajtoheshin aty këta shtetas, u shpreh se “aty nuk i merrnin për kafe”. Në fund të dëshmisë së tij, prokurori Xhevat Hana kërkoi kundërshtimin e dëshmisë, duke u shprehur se gjatë marrjes në pyetje vite me parë, dëshmitari ka dhënë më tepër detaje, nisur edhe nga koha e afërt e ndodhjes së fakteve. Gjatë dëshmisë para oficerëve të policisë, Sokoli është shprehur se “njërin që e kishin shoqëruar nga Saranda e torturuan shumë. Mësova se në Sarandë ky shtetas hiqej si gazetar (bëhet fjalë për shtetasin Avdyl Loshaj), por aty u shoqërua si agjent i serbëve. Një djali të ri të shoqëruar në Vain i kishin drejtuar pistoletën në kokë dhe i thoshin të tregonte se përndryshe do ta hidhnin në gropën e gëlqeres”. Në përfundim të seancës gjyqësore, prokurori kërkoi thirrjen për të dëshmuar të shtetasit nga Kosova Shaqo Shatri, personi të cilit i pandehuri Kumbaro i ka marrë identitetin. Gjykata e rrëzoi kërkesën, duke kërkuar paraqitjen e saj në formën e duhur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›