E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme, memorandum bashkëpunimi me KQZ-në për zgjedhjet

Firmosja, në emër të Këshillit të Ministrave, Bujar Nishani, ministri i Brendshëm, për KQZ-në nënshkruan kryetari Arben Ristani dhe zv.kryetarja Dëshira Subashi

* * * *

Ministria e Brendshme ka nënshkruar dje një memorandum bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim krijimin e kushteve sa më të favorshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në emër të Këshillit të Ministrave nënshkroi Bujar Nishani, ministri i Brendshëm, ndërsa për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, memorandumin e nënshkruan kryetari Arben Ristani dhe zv.kryetarja Dëshira Subashi. Në fjalën e tij, ministri Nishani u shpreh se qeveria do të bashkëpunojë ngushtësisht me KQZ për realizimin e infrastrukturës zgjedhore dhe të gjitha detyrimeve të përcaktuara në memorandumin e bashkëpunimit. “Ministria e Brendshme me nënshkrimin e këtij memorandumi do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institucionet kryesore, kryesisht me të gjitha njësitë vendore, komunat dhe bashkitë e vendit, për të pasur një proces me standardet e kërkuara jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga legjislacioni në fuqi”, - deklaroi ministri i Brendshëm. Në bazë të marrëveshjes së kryer, qeveria do të mbështesë dhe do t’i garantojë KQZ-së disa shërbime gjatë procesit të mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Një prej tyre do të jetë sigurimi i ambienteve të nevojshme për KZAZ-të dhe VNV-të, duke përfshirë kushte të përshtatshme për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave, si dhe për sigurimin e linjave të komunikimit. Gjithashtu, sipas memorandumit, do të sigurohen ambientet për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së. Strukturat në varësi të Këshillit të Ministrave do të angazhohen për transportin e bazës materiale zgjedhore, nga KQZ-ja në KZAZ-të, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe anasjelltas. Ministria e Brendshme ngarkohet të mbikëqyrë përmbushjen e angazhimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në këtë memorandum, nga të gjitha institucionet në varësi të Këshillit Ministrave dhe nga organet e Qeverisjes Vendore. Edhe prefektët, mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në aktet e KQZ-së, do të bashkërendojnë realizimin e detyrave të parashikuara në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe në këtë memorandum në të gjithë territorin e juridiksionit administrativ përkatës. Ndërsa nga ana e tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në këtë memorandum bashkëpunimi duhet t’i sigurojë Këshillit të Ministrave dhe të gjitha institucioneve në varësi të tij, në kohën e nevojshme, informacionin e duhur për të lejuar përmbushjen e angazhimeve, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u shpreh se ky memorandum formalizon bashkëpunimin që ka nisur prej muajsh dhe që do të vazhdojë deri në përfundim të procesit zgjedhor. Ai veçoi marrëdhëniet shumë të mira me Ministrinë e Brendshme dhe theksoi se krijimi i Regjistrit Kombëtar të Shtetasve është një risi që jo vetëm do të ndikojë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, por edhe do t’u shërbejë qytetarëve në çdo moment. “Unë mendoj se ky bashkëpunim do t’i japë Shqipërisë zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, të cilat janë të pritshme për të gjithë”, - u shpreh z. Ristani. Zgjedhjet e 28 qershorit janë me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit dhe në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Gjithashtu edhe qeveria shqiptare është seriozisht e angazhuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike, të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›