E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët: Autorët i priste një makinë në rrugë

Banorë të zonës ku u vra kambisti tregojnë se ndihma e shpejtë u vonua, kambisti humbi shumë gjak


Policia shoqëron më tepër se 20 persona për ngjarjen dhe kryhen disa kontrolle banesash në kryeqytet


TIRANË- Një ditë pas vrasjes së kambistit 40- vjeçar Astrit Cubi, disa prej fqinjëve të tij, kanë treguar momentet e fundit të jetës së tij, ndërsa mbërritja me vones e ndihmës së shpejtë mund të ketë qenë një nga shkaqet që sipas tyre mund të ketë shkaktuar humbjen e jetës së kambistit.


Kjo sipas tyre mund të ketë ndodhur pasi Astriti gjatë pritjes së tij për ndihmën e shpejtë ka humbur shumë gjak, aq sa vetë efektivët e policisë që kishin mbërritur në vendin e ngjarjes janë detyruar ta nisin vetë për në spital kambistin e plagosur rëndë.


Të shokuar nga ngjarja dhe të zemëruar për humbjen e fqinjit të tyre, shokët dhe banorët e pallatit ku jetonte prej dhjetë vjetësh kambisti Astrit Cubaj, tregojnë momentet e fundit të të tij. Banorë të pallatit ku banonte kambisti, tregojnë se kanë dëgjuar debat mes kambistit dhe dy personave që mund të kenë qenë grabitësit.


Sipas banorëve, ky debat mund të ketë lindur nga refuzimi i kambistit për të dorëzuar shumën e parave që kishte në çantën e tij. Për t'u mbrojtur Astrit Cubaj, ka goditur njërin nga grabitësit, çka ka sjellë më pas reagimin e tyre, duke qëlluar me tre plumba Cubajn.


"Ne i dëgjuam krismat e armës, por nuk dolëm jashtë se menduam se nuk ishte afër pallatit tonë dhe menduam se ishte ndonjë shkreptimë, por më pas kur u mblodh policia, kuptuam se diçka kishte ndodhur". Fqinji një burrë rreth të 40-ave tregon se: Kur unë dola jashtë pashë Astritin që ishte mbuluar në gjak aty, ndërsa ambulanca ende s kishte mbërritur.


Po të kishte patur një ndërhyrje më të shpejtë ndaj tij, ai mund të kishte shpëtuar, se unë nuk pashë ambulancë që të vinte ta merrte për ta dërguar në spital dhe ndenji shumë kohë në vendin ku u qëllua,- shprehet i njëjti person.


Një burrë rreth të 60-ve tregon se ishte bashkë me Astritin para se ai të vritej. " Unë e takova sapo ai u kthye nga puna dhe shkoi në një dyqan afër për të blerë një bukë, ndërsa unë u ula në lokalin afër pallatit për të pirë një kafe. Nuk kaluan më shumë se 10 minuta, kur mësova se Astritin e kishin vrarë. Më ka ndihmuar disa herë, jo vetëm mua, por edhe banorët e tjerë të pallatit".


Më pas ai tregon se ka parë dy të rinj të largoheshin me shpejtësi, ku pak metra vendit të ngjarjes i priste një makinë,- tregoi një nga fqinjët e Cubajt. Policia nuk ka identifikuar akoma autorët e ngjarjes, të cilët sipas saj dyshohet se janë dy të rinj të moshës 16 dhe 18 vjeç.


Ndërkaq, në ambientet e policisë, janë shoqëruar më tepër se 20 persona të cilëve iu janë marrë deklarime mbi ngjarjen, në cilësinë e dëshmitarëve. Ndërkaq, sipas policisë, ende nuk ka të dyshuar pavarësisht volumit të punës së kryer prej tyre.


Ngjarja ndodhi të dielën në mesditë rreth orës 14:30, kur së paku dy persona ndaluan kambistin Astrit Cubaj, përpara pallatit të tij në rrugën "Komuna e Parisit", për t'i marrë paratë, ndërsa ai rezistoi duke u konfrontuar me ta. Për këtë shkak, autorët dyshohet se qëlluan kambistin duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa i morën atij edhe paratë që kishte me vete, qw mendohet se kanw qenw rreth 10 milionë lekë të vjetra.


Ndërkaq, policia e Tiranës pas ngjares vuri në dispozicion të personit që ndihmonte policinë me informacion të saktë mbi autorët e mundshëm rreth 20 mijë euro, në kushtet e anonimatit të plotë.


20 mijë euro është shuma që Drejtoria e policisë së Tiranës, ka vënë në dispozicion të personit që jep informacion të saktë mbi autorësinë e mundshme të grabitjes së të dielës në mesditë ku mbeti i vrarë kambisti Astrit Cubaj.

10 milionë lekë të vjetra dyshohet se kanë grabitur autorët e ngjarjes së të dielës në rrugën "Komuna e Parisit", ndaj kambistit Cubaj, kjo shumë sipas policisë i referohet shumave që kambisti i vrarë merrte çdo ditë me vete në mëngjes para se të dilte në punë.

4 herë kanë qëlluar autorët e krimit të të dielës në kryeqytet, ku u grabit një kambist ndërsa në përleshje e sipër me autorët ai mbeti i vrarë. Sipas burimeve të policisë autorët kanë qëlluar nga dy pistoleta të ndryshme që i morën jetën Cubajt.

Ceremonia në vendlindje
Dje të afërmit e Astrit Cubajt i kanë dhënë lamtumirën e fundit në vendlindjen e tij në Malësinë e Madhe. Trupi i viktimës është nisur në mëngjes herët nga banesa në rrugën "Komuna e Parisit", ku jetonte bashkë më familjen prej më tepër se 10 vitesh. Të afërmit e kambistit kanë dashur që nderimet e fundit dhe ceremoninë e varrimit të njeriut të tyre t'ia bëjnë në vendlindjen e tij në Koplik të Malësisë e Madhe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›