U prishen pazaret e drogës, merret peng lazaratasi
Trafiku/ Një 27-vjeçar nga Lazarati ka denoncuar tre shtetas se e kanë mbajtur për 12 orë të mbyllur në një banesë
TEPELENË- E kanë paguar për një sasi hashashi, por edhe pas debatesh të shumta nuk kanë arritur që ta marrin drogën e premtuar. Si rrjedhojë e kanë marrë peng për disa orë për ta trembur, por tashmë ndodhen nën akuzë.
Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga Sali Vilën, ndërsa ka shpallur në kërkim Kastriot Didën e Pëllumb Çaushin nga Tepelena, të cilët akuzohen se kanë marrë peng një 27-vjeçar pas prishjes së pazareve të drogës. Denoncimi është bërë nga vetë viktima, i cili gjithashtu është ndaluar nga policia.
Mbrëmjen e së shtunës, shtetasi S.Ç. nga fshati Lazarat është marrë me forcë në qytetin e Gjirokastrës prej shtetasve Kastriot Dida, Pëllumb Çaushi, të dy nga Tepelena dhe Sali Vila, banor i fshatit Çepunë në rrethin e Gjirokastrës.
Ka qenë ora 20:30 kur është kryer pengmarrja me anë të një automjeti tip "Mitsubishi", me targë TR 0609 F. Sipas dëshmisë së të dëmtuarit dhënë për uniformat blu, për rreth 12 orë me radhë ai është mbajtur në një banesë në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë dhe më pas është lënë i lirë. Mesditën e djeshme, pasi është lënë i lirë, i dëmtuari S.Ç. ka gjetur mundësinë për të njoftuar policinë rreth ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së telefonatës, forca të shumta të policisë të policisë së Tepelenës dhe Gjirokastrës kanë shkuar në fshatin Luftinjë. Aty është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve, si dhe bllokimi i automjetit tip "Mitsubishi" me targa TR 0609 F, në pronësi të shtetasit Kastriot Dida, me të cilin është kryer pengmarrja.
Burimet zyrtare të policisë shprehen se krahas arrestimit të 29-vjeçarit Sali Vila, për veprën penale "heqje e paligjshme e lirisë e kryer në bashkëpunim" është bërë edhe ndalimi i personit të marrë peng, shtetasit S.Ç. nga Lazarati, që ka qenë i dënuar më parë për "vjedhje me armë", për akuzën e "moskallëzim të krimit".
Dy organizatorët e tjerë të kësaj pengmarrjeje, Kastriot Dida, i cili dyshohet se është dhe autori kryesor i kësaj ngjarjeje dhe shtetasi Pëllumb Çaushi, po nga Tepelena, kunati i Kastriot Didës, janë shpallur në kërkim. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga vetë i dëmtuari, ai ishte paguar kohë më parë nga tre personat për t'iu siguruar një sasi hashashi.
Por kjo gjë nuk është realizuar prej tij. Disa herë mes katër shtetasve ka pasur debate, derisa ditën e shtunë tre pritësit e "mallit" kanë vendosur të përdorin veprat, dhe jo fjalët për të bindur "shitësin" e tyre që t'u japë çka u kishte premtuar.
Akuza e ngritur ndaj tre personave është ajo e "heqjes së paligjshme të lirisë". Burime nga policia bëjnë të ditur se vetë denoncuesi ka qenë kontradiktor në deklarimet e dhëna, ndërsa pritet që hetimet e mëtejshme të zbardhin plotësisht ngjarjen.