Eksperti: Shqipëria i ka shanset të shesë eurobonde
Agjencia e lajmeve “Bloomberg” komenton vendimin e qeverisë për të emetuar borxh
Një ekspert i tregjeve në zhvillim në Londër, i cituar nga agjencia e lajmeve ekonomike “Bloomberg”, beson se vendi ynë mund të ketë sukses në emetimin e bondeve tre dhe pesëvjeçare në euro. “Nuk kishte asnjë shans që Shqipëria të shiste bonde 12 apo gjashtë muaj më parë,” komentoi Nigel Rendell, një strateg i investimeve në tregjet në zhvillim në kompaninë “RBC Capital Markets” në Londër. “Njerëzit janë tani pozitivë mbi perspektivën e ekonomisë botërore. Ka gjasa që Shqipëria t’i shesë këto borxhe përkundrejt një interesi tërheqës krahasuar me interesat shumë të ulëta që ofrohen për instrumentet e borxheve jashtë SHBA-së dhe Europës në këto kohë”, shtoi ai. Ministria e Financave njoftoi javën e kaluar se dëshiron të emetojë 300 milionë eurobonde dhe se pranon oferta deri më 30 janar. Dy të tretat e këtij borxhi do të përdoret për të paguar rreth 200 milionë euro që u tërhoq në maj dhe korrik të vitit të kaluar, përkundrejt një interesi stratosferik prej rreth 11.5 përqindësh. Pjesa tjetër pritet të përdoret për të financuar shpenzimet buxhetore të vitit 2010. Sipas një relacioni konfidencial që Ministria e Financave i dërgoi Kryeministrit Berisha pak ditë më parë dhe që u publikua nga “Shqip”, parashikimet për buxhetin e këtij viti janë shumë negative. Financat parashikojnë të ardhura 30 miliardë lekë më të ulëta se sa plani i miratuar dhe për këtë arsye sugjerojnë rishikimin e buxhetit me ulje drastike të shpenzimeve.
#