E Hënë, 2 Nëntor 2026

Francesco Poli, drejton jurinë e Onufrit

Konkursi
Ceremonia e ndarjes së çmimeve vendoset pasditen e 19 janarit

Galeria Kombëtare e Arteve ka bërë me dije dje jurinë, e cila do të zgjedhë veprat më të mira të konkursit ndërkombëtar “Onufri 09”. Në krye është vendosur italiani Francesco Poli, kritik arti në Itali dhe në Francë, gazetarja e fushës së kulturës dhe artit Alma Mile dhe Suzana Varvarica Kuka studiuese arti në Galerinë Kombëtare të Arteve. Gjithashtu, sipas njoftimit nga GKA-ja mësohet se ceremonia e ndarjes së çmimit të përvitshëm për artet pamore “Onufri 2009” do të zhvillohet të martën pasdite, datë 19 janar në sallën e Bibliotekës së këtij institucioni. Italiani Francesco Poli është njëkohësisht edhe profesor i Historisë së Artit në akademinë e Breras në Milano.
Njëkohësisht, ai është edhe profesor i shkencave dhe komunikimit në Universitetin e Torinos dhe në Universitetin Paris 8. Ai ka shkruar një seri vëllimesh në lidhje me artin mes të cilave “Prodhimi artistik dhe merkatoja” “Nëntëqinda”, “Fjalori i artit bashkëkohor”, “Metafizika”, “Minimalizmi”, “Arti i varfër”, “Arti konceptual”, “Sistemi i artit bashkëkohor” dhe “Fjalor i artit të ‘900-s”. Poli është njëkohësisht kurator i disa ekspozitave e katalogëve mes të cilëve “jehona metafizike” në Leço 1997; “Quadriennale di Roma” në Romë 1999; “Arti i punës nga verizmi në neorealizëm” në Aosta 2000; “Giorgio de Chirico” Cherasco 2000; “Fëmijëri. Vogëlushët e artit mes ‘800-s dhe ‘900-s” Torino 2001. Ai gjithashtu ka qenë murator i Bienales së Milanos në vitin 2002. Si kritik arti Francesco Poli bashkëpunon me gazetën “Il Manifesto” dhe me revistën “Tema celeste”. Edicioni i 16-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 09” u çel më 24 dhjetor të vitit që porsa lamë pas. Ai do të vazhdojë të qëndrojë i hapur deri më 4 shkurt të këtij viti. Kuratori Parid Teferiçi ka ndërtuar një ekspozitë pa temë, me titullin “Dëshmi dhe Dëshira”. E re e këtij viti quhet përfshirja për herë të parë e disa studentëve të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Donika çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi janë zgjedhur nga artisti Gentian Shkurti. Në edicionin XVI të “Onufrit” marrin pjesë: Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Klodian Dedja, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjokaj, Helidon Haliti, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musaj, Vladimir Myrtezaj, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›