Muamba, ende në luftë me jetën
Nëse Fabris Muamba do ta fitojë betejën me jetën, duhet të presim edhe 24 orët e ardhshme. Mesfushori i Boltonit, i cili pësoi infarkt gjatë ndeshjes me Totenhemin mbetet në gjendje kritike për jetën. Zemra e tij ndali për 2 orë ditën e shtunë, ndërsa mesfushori 23-vjeçar vijon të jetë në terapi intensive në spitalin e sëmundjeve kardiovaskulare të Londrës. Doktori i spitalit ku është shtruar lojtari i kombëtares së 21-vjeçarëve të Anglisë, tha se fati i lojtarit mbetet në duart e tij. Kardiologu Ikbal Malik i spitalit të Londrës tha se ataku kardiak që pësoi futbollisti mund të ketë ardhur për shkak të ndonjë anomalie në organin e zemrës, që nuk është identifikuar pavarësisht kontrolleve rigoroze mjekësore ndaj sportistëve profesionistë. Ai tha se raste të tilla kanë vetëm 25% shpresë që të mbijetojnë, por fati i mirë i Muambasë është se iu dha menjëherë ndihma e parë. Nëse sot të gjithë luten që Fabris të fitojë betejën me jetën, kjo është falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve. Deri përpara vitit 2007, Premier Liga nuk i përfshinte ambulancat në fushën e lojës.