E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët “braktisin” gjyqin e zhdukjes së Remzi Hoxhës



Asnjë nga pesë dëshmitarët e thirrur nga togat e zeza për të dëshmuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës nuk janë paraqitur para Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke mos iu përgjigjur thirrjes së togave të zeza dhe prokurorisë për të dëshmuar në proces. Një mungesë e tillë bëri që seanca e djeshme të dështonte, ndërkohë që nga togat e zeza u përsërit kërkesa për pjesëmarrjen e tyre në proces gjyqësor për datën e ardhshme. Sipas procedurës së ndjekur nga gjykata në kësisoj rastesh, thirrja do të përsëritet edhe një herë tjetër dhe më pas do vendoset shoqërimi i detyruar i tyre me forcë nga policia për të dëshmuar. Pesë personat e thirrur nga gjykata për të dëshmuar janë kryesisht ish-agjentë të SHIK-ut dhe vajza e Ziso Krsitopullit, të cilët mendohet se kanë dijeni rreth rrëmbimit të Kristopullit në Sarandë. Mësohet nga burime brenda gjykatës se pesë dëshmitarët e akuzës janë thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana dhe fakte që provojnë akuzën, ndaj dhe prania e tyre në sallën e gjyqit është mjaft e rëndësishme. Ata duhet të dëshmonin mbi rrëmbimin e trefishtë me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, por, ndonëse ishin lajmëruar më parë, nuk janë paraqitur këtë seancë të radhës ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, tre ish-agjentë të SHIK-ut të Sarandës, të cilët duhet të dëshmonin pas deklaratës së Ziso Kristopullit, nëse ata e njihnin personin e Shërbimit Informativ Kombëtar që e kishte takuar Kristopullin në Ksamil. Po ashtu, si dëshmitare ishte edhe vajza e Ziso Kristopullit, e cila mungoi edhe ajo si të tjerët në këtë seancë, duke mos iu përgjigjur thirrjes së gjykatës për llogari të përfaqësuesit të akuzës. Gjykata vendosi të ripërsërisë kërkesën e saj drejtuar dëshmitarëve, pasi ata janë në listën e personave që paraqesin interes për çështjen gjyqësore ndaj të akuzuarve të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Detaj

5 ishin dëshmitarët që pritej të paraqiteshin dje në gjyqin për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›