Alibeaj: Mbrojtjen e dëshmitarëve e kërkon vetëm prokuroria
Ministri i Drejtësisë Enkeled Alibeaj tha dje se nuk kishte pasur asnjë kërkesë për mbrojtjen e Trebickës që mund të ishte refuzuar nga Ministria e Brendshme apo struktura të tjera. Alibeaj sqaroi situatën e mos marrjes në Mbrojtje të Kosta Trebickës, kur ndodhej dje në Komisionin e Integrimit në Kuvend, ku ishte thirrur për të raportuar në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi.
Ndërsa ministri renditi të gjitha detajet e reformës në drejtësi, deputetët e opozitës ngulmuan të merrnin shpjegime në lidhje me vdekjen e biznesmenit Trebicka. Ata kërkuan llogari se pse ky dëshmitar nuk ishte marrë në mbrojtje nga shteti ku dihej se çështja që ai kishte denoncuar.
Madje deputeti Gramoz Ruçi e cilësoi si një rrënim të besimit në drejtësi, pasi sipas tij, “asnjë nuk guxon më të denoncojë korrupsionin”.
Alibeaj tha se përgjegjësia në rastin konkret është e prokurorisë. Sipas tij, ka një bazë ligjore tepër të qartë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e dëshmitarëve. “Është prokuroria ajo që identifikon rastet e dëshmitarëve të cilët do të duhet të meritojnë mbrojtjen nga shteti. Është prokuroria ajo që do të artikulojë këtë nevojë për mbrojtje dhe do të duhet të kërkojë në mënyrë ekskluzive, ajo vetë ndaj institucioneve ekzekutive, mbrojtjen e dëshmitarëve. Do të jetë më pas Ministria e Brendshme, drejtoria përkatëse për mbrojtjen e dëshmitarëve, komisioni për masat e mbrojtjes së dëshmitarëve, të cilët përcaktojnë rastin nëse është i meritueshëm ose jo”, - tha Alibeaj. Ministri konfirmoi më tej se “nuk më rezulton deri tani që të ketë pasur një kërkesë nga prokuroria drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas kjo e fundit të mos jetë apo t’i jetë përgjigjur”. Kryetari i Komisionit, Ilir Meta, pyeti ministrin e Drejtësisë se përse nuk ka ardhur në Kuvend projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, i premtuar nga ana e qeverisë në kuadër të reformës në drejtësisë. “Qeveria ka qenë e angazhuar në një projektligj për mbrojtjen e dëshmitarëve që në janar të këtij viti, por ai ende nuk është miratuar në Kuvend. Duhet vepruar me shpejtësi në këtë drejtim, pasi kuptohet që procese gjyqësore të suksesshme, pa dëshmitarë kurajozë nuk mund të ketë”, - u shpreh Meta. Për sa i përket këtij projektligji, Alibeaj tha se kjo është një iniciativë e Ministrisë së Brendshme. Gjatë seancës së djeshme në Komisionin e Integrimit në Kuvend, ministri Alibeaj ka radhitur të gjitha rezultatet e reformës në drejtësi. Ai tha se një grup ekspertësh dhe juristësh të njohur po përgatitin të gjithë kuadrin ligjor i cili do t’i kalojë Kuvendit për t’u miratuar me konsensus nga të dyja palët. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Meta, theksoi që në fillim të fjalës së tij se qeveria është e vonuar për zbatimin rekomandimeve të BE-së, për sa i përket reformës në drejtësi. Në këtë aspekt, Meta theksoi se është shumë e rëndësishme që projektligji për prokurorinë të forcojë pavarësinë e saj dhe jo të jetë në frymën e tendencës për kontrollin e prokurorisë si institucion i pavarur nga ekzekutivi. Këtë deklaratë e ka kundërshtuar ministri i Drejtësisë, duke thënë se deri në këto momente, Kuvendi ka kaluar disa iniciativa të rëndësishme, ndërkohë që brenda këtij sesioni parlamentar do të sillen në Kuvend të gjitha nismat ligjore të kërkuara në kuadër të reformës në drejtësi.
Ligji për prokurorinë, Alibeaj: Projekti është konsultuar me palët e interesuara
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje në Komisionin e Integrimit se projektligji për prokurorinë është konsultuar me grupet e interesit. “Konsultimi me aktorët e një ligji është çelësi i suksesit të zbatimit të tij. Organi i vetëm përfaqësues që duhet të tejçojë në mënyrë të sinqertë edhe problematikën dhe shqetësimet që ka trupa apo komuniteti i prokurorëve, është prokurori i përgjithshëm. Jam njohur kohët e fundit me shqetësimin e shoqatës së prokurorëve. Është detyrim i prokurorit të përgjithshëm që të ketë një komunikim vertikal për të përcjellë të gjitha shqetësimet e tyre”, - tha Alibeaj. Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ilir Meta, tha nga ana tjetër se është shumë e rëndësishme që projektligji për prokurorinë të forcojë pavarësinë e saj dhe jo të jetë në frymën e tendencës për kontrollin e prokurorisë si institucion i pavarur nga ekzekutivi.