E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitarët e mitur ndryshojnë thëniet në gjyqin e David Brown

Dëshmitarët e paraqitur nga akuza në procesin ndaj britanikut të akuzuar për pedofili, kanë ndryshuar deklarimet e dhëna gjatë procesit hetimor. Gjykimi i David Brown, ka vijuar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë me dëshminë e tre të miturve që kanë jetuar në qendrën "Fëmijët e tij". Në ndryshim nga sa kishin deklaruar me parë, të paktën njëri prej tyre ka thënë se nuk kishte qenë Brown që kishte abuzuar me fëmijët, por dy të huajt e tjerë, Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Procesi është duke u zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të moshës minorene të fëmijëve, por ndërkaq, dëshmitarët e vegjël nuk e kanë pasur problem të flasin për gazetarët jashtë dyerve të gjykatës. Njëri prej tyre ka thënë se Davidin e kishin si baba dhe se ai nuk kishte abuzuar asnjëherë me ta. Por në prokurori, ky dëshmitar kishte thënë gjëra të tjera, duke e akuzuar edhe drejtuesin kryesor të qendrës "Fëmijët e Tij" si abuzues seksual. Me shumë sforcim ai i shmanget pyetjes se përse deklarimet e tij nuk janë të njëjta dhe vazhdon të këmbëngulë se kanë qenë dy britanikët e tjerë që abuzonin me fëmijët.

Që prej nisjes së procesit gjyqësor lidhur me abuzimet seksuale, jo pak prej dëshmitarëve të akuzës kanë ndryshuar mendim për atë që duhet të thonë në sallën e gjyqit. Askush nga prokuroria nuk di të shpjegojë këtë ndryshim, por akuza pretendon se prova e saj më e fortë për të vërtetuar akuzat janë ekzaminimet mjekësore që u janë bërë fëmijëve. Sipas tyre, këto prova do të paraqiten në seancat e ardhshme dhe do të vërtetojnë plotësisht krimin e kryer nga i pandehuri.

Megjithëse janë zhvilluar mjaft seanca në procesin ku të pandehurit janë akuzuar për veprën penale të "Kryerjes së marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale më të mitur", ende nuk duket qartë roli i Brown në këtë skandal. Kjo, pasi fëmijët duken të ndarë në qëndrimin e tyre. Çështja e tij është ndarë dhe po gjykohet veçmas nga ajo e dy të akuzuarve të tjerë, Dino Christodulu dhe Robin Arnold, për shkak të afateve të paraburgimit. Dy të pandehurit e tjerë vazhdojnë të presin ekstradimin e tyre nga Anglia ku ndodhen të arrestuar, për llogari të drejtësisë shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›