E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gurore mbi 6 tunele me municion

Një gurore që shpërthen çdo ditë lëndë eksplozive për të prodhuar gurë rrezikon të shpërthejë 13180 tonë armatime të të gjitha llojeve, e që ndodhen të izoluara në gjashtë tunele, në Mirakë. Kjo gurore punon çdo ditë, pikërisht në kodrën, nën këmbët e së cilës ndodhen gjashtë tunele të mbushura me armatim. Gurorja është e licencuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse për dhënien e lejeve. Madje, ka edhe leje për shfrytëzimin e lëndëve plasëse dhe shfrytëzon për të nxjerrë gurë, pikërisht në vendin që ndodhet në vijë ajrore vetëm 100 metra sipër tuneleve të mbushura me municion.

Banorët e zonës tregojnë se shqetësohen vazhdimisht nga zhurma e shpërthimeve, madje pas shpërthimit të Gërdecit, ndjehen të rrezikuar. Ata e dinë sasinë e madhe të municionit që mbajnë të mbyllura brenda tunelet në Mirakë. Ata thonë se kur gurorja bën shpërthime, tronditen edhe makina që kalojnë në rrugë, poshtë kodrës. Por të gjithë ata persona që kanë firmosur lejet për të punuar kjo gurore, nuk e kanë pasur aspak shqetësim rrezikun që u kanoset fshatrave përreth repartit ushtarak dhe as pasojat që mund të ketë shpërthimi i municioneve të izoluara në këto tunele. Administratori i gurores, zoti Ruzhdi Gega, tregon para kamerës se të gjitha lejet janë marrë përpara se të fillonte puna.

Kësaj kompanie i është dhënë leja minerare, ajo mjedisore, leja për përdorimin e lëndëve plasëse dhe i është përcaktuar pikërisht vendi mbi kodrën, ku ndodhen tunelet me municion për të nxjerrë gurë. Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i Prefekturës së Elbasanit, z. Rezart Kovaçi. Sipas tij, nga Ministria e Mbrojtjes kanë ardhur një grup ekspertësh, të cilët kanë bërë matje dhe parë situatën në vend, si dhe kanë arritur në përfundimin se shpërthimet e gurores nuk mund të shkaktojnë shpërthimin e municioneve brenda tuneleve në Mirakë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›