Polici i Gërdecit: Më ndihmoni për kurimin
Dritan Memoçi, oficeri i policisë në zonën e Gërdecit, i plagosur rëndë nga shpërthimi, ka bërë ankesë pranë Zyrës së Avokatit të Popullit për dëmshpërblim. Në formularin e komisionerëve të Dobjanit ai shkruan se është efektiv i Rajonit të Policisë Vorë, Komisariati i Policisë Nr. 6, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me detyrë specialist i policisë së rendit. Më datën 15 mars 2008, kur ndodhi ngjarja e Gërdecit në Tiranë, ai meqenëse mbulonte këtë zonë, ka shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes. Gjatë rrugës, në afërsi të vendit, në momentin që ishte duke i dhënë ndihmë të plagosurve nga shpërthimi në fabrikën e çmontimit të municioneve, është plagosur edhe vetë nga shpërthimi i dytë. Nga kjo plagosje atij i janë thyer dy këmbët dhe ka pësuar djegie në pjesën e pasme të trupit. Për të bërë mjekimin e tij, Memoçi është dërguar nga autoritetet shtetërore shqiptare në Spitalin e Selanikut në Greqi. Në spitalin grek nuk ka marrë mjekimin e plotë e të duhur dhe si pasojë, për shkak të infeksionit, gjendja e tij shëndetësore është rënduar, duke rrezikuar të humbasë njërën këmbë. Për këto arsye, oficeri i policisë është rikthyer në Shqipëri me shpenzimet e veta dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Turk, pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë ku po kurohet me shpenzimet e veta. Sipas tij, mjekët e këtij spitali i kanë thënë se megjithëse kanë bërë maksimumin e mundshëm, ai nuk mund të riaftësohet në spitalet që shërbejnë në Shqipëri dhe se duhet të shkojë në ndonjë spital të specializuar jashtë vendit. Dritan Memoçi ka ngritur edhe shqetësimin ndaj drejtuesve të tij për mosdhënien e dëmshpërblimit, si dhe për shpenzimet që ka bërë deri tani për mjekimin dhe për transportin e tij nga Greqia në Shqipëri.