E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koldashi: Na thanë se ishin agjentë të UDB-së

Motivacioni i rrëmbimit dhe torturës ndaj Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit është politik. Prokuroria e Përgjithshme tha dje se tri viktimat dyshoheshin nga agjenturat e SHIK-ut në vitin 1995 si agjentë të Shërbimit Sekret Jugosllav që kryenin shërbimin në vendin tonë. Faktet janë servirur nga vetë të arrestuarit e çështjes, kryesisht nga Avni Koldashi, i cili ka firmosur në procesverbalet e marrjes në pyetje se janë urdhëruar për shoqërimin në dhomat e izolimit të tre të dyshuarve. Burimet nga grupi hetimor deklarojnë se Koldashi ka "bashkëpunuar" me prokurorinë duke zbardhur edhe misteret e dosjes, e cila endej prej më shumë se 13 vitesh në sirtarët e policisë dhe prokurorisë. Ai ka firmosur se ka marrë urdhër nga drejtuesit e SHIK-ut në Tiranë, Arben Sefgjini, dhe Budjon Meçe për shoqërimin e Remzi Hoxhës për në Vain të Lezhës. Por në dëshminë në prokurori ka mohuar të ketë shkelur ligjin, pasi thjesht ka zbatuar një urdhër.

Një dëshmi tjetër është siguruar nga prokuroria, e cila hedh dritë për motivin e rrëmbimit të tre personave nga SHIK. Është vetë i dëmtuari Avdyl Loshaj, i cili ka pohuar se është arrestuar në muajin tetor 1995 në Qytetin Studenti, afër godinës 24. "Ka qenë edhe një person grek, çfarë ka bërë ai në trupin tim, vetëm kur të vijë dita ndonjëherë që të dal edhe unë para gjyqit mund ta faktoj... Bëhej fjalë për atentate ndaj Zef Brozit, kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Prelë Martinit, kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjoja se ne kishim bërë atentatet. Thuhej se kisha bashkëpunuar me Remzi Hoxhën për atentatin e Gligorovit në Maqedoni", ka rrëfyer Loshaj, duke shtuar se vetëm gjatë torturave ka dëgjuar britmat e Remziut. "Këto britma unë i kam dëgjuar në një vend diku, ku ka qenë edhe një shërbëtore. Shërbëtorja fliste në një dialekt shkodran. Nuk e di se në ç‘vend kam qenë, pasi më vendosën në kokë një thes të zi gjatë udhëtimit që kam bërë", shton ai. Loshaj deklaron se u ka shpëtuar agjentëve pas hedhjes nga tre kate e gjysmë, për të shpëtuar nga torturat çnjerëzore që i bënin. "I kisha këmbët e lidhura. Më rrihnin me shkopinj gome. Aq sa s‘mundja ta ndal urinën. Dikur njëri prej tyre, ai greku, ai që fliste greqisht i tha tjetrit ‘hiqma këtë qelbësirë prej këtu, dërgoje në VC‘. Në VC isha pa të mbathura dhe aty pashë një dritare të vogël. Nxora trupin jashtë dritares dhe më kapën nga bluza. Ajo u shkye dhe kam rënë në tokë në këmbë", dëshmon Loshaj para grupit hetimor.

Ndërkohë, akuza qendrore ka sqaruar dje se akuza e rrëmbimit dhe torturës, e cila rëndon ndaj tre të pandehurve të çështjes, megjithëse është amnistuar në vitin 1997, vazhdon të jetë në fuqi. Hetuesit e çështjes deklarojnë se meqenëse nuk është gjetur trupi i Remzi Hoxhës, akuza e rrëmbimit është aktuale. Megjithatë, një interpretim më i saktë i akuzës pritet të kryhet pas fillimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Remzi Hoxha është rrëmbyer me datën 21 tetor 1995, rreth orës 13.30 minuta, afër firmës "Albatros", që prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e bëra rezulton se një ndër automjetet që është përdorur në këtë ngjarje, me targë TR 2449C, i takonte SHIK-ut dhe kjo makinë është tërhequr nga shefi i prapavijës së SHIK-ut të Tiranës, Nuredin Dervishi. Më pas i është dorëzuar ish-drejtorit të SHIK në Tiranë, Mehmet Haxholli. Konfirmohet se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit, Avni Koldashi, i cili më pas e ka dorëzuar te një grup oficerësh operativë, ku ndër më kryesorët kanë qenë Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini, përkatësisht kryetar dege dhe zv.drejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë. Viktima rezulton të jetë çuar në një bazë sekrete në Vain të Lezhës, ku është trajtuar barbarisht dhe nga torturat ka vdekur.

Deklarata

PS: Berisha, presion prokurorisë

Partia Socialiste denoncon se i akuzuari për vrasje vijon të qëndrojë në detyrë. Sipas Ylli Manjanit është e patolerueshme sjella e Kryeministrit të vendit, i cili ka zgjedhur të mbrojë drejtorin e tij të Tatimeve, Arben Sefgjini. PS pretendon se trajtimi i të akuzuarve të vrasjes së Remzi Hoxhës, njëri prej të cilëve është drejtori i Tatimeve, përbën në thelb një diskriminim për shkak të trajtimit të pabarabartë në zbatimin e ligjit penal. "Duke mos shkarkuar drejtorin e akuzuar për krim të rëndë, Kryeministri u bën presion të hapur organeve të drejtësisë për të mos shkuar me thellë në këtë çështje", tha Manjani. Sakaq, shtoi ai, Kryeministri po dëmton kështu edhe atë sukses të jashtëzakonshëm të prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda në luftën kundër krimit në këtë vend. Ai i kërkoi kreut të qeverisë të ndalojë menjëherë presionin ndaj organeve të drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›