E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri në familje, vëllai plagos me thikë 18-vjeçaren

Sherret në familje kanë sjellë plagosjen e një vajze dhe vetëhelmimin e një djali. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Tiranë, ndërkohë që policia ka nisur punën për dokumentimin e tyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se vëllai ka plagosur me thikë motrën, ndërkohë që një djalë i ri është përpjekur që t‘i japë fund jetës për shkak të një konflikti në familje. Sipas informacioneve zyrtare, rasti i parë është shënuar në zonën e Komisariatit të Policisë nr. 6, në Kombinat. Uniformat blu shpjeguan se dy ditë më parë, rreth orës 17:30, janë njoftuar se një 20-vjeçar kishte goditur me thikë motrën e tij 18-vjeçare. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët e policisë, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat paraprake, policia ka zbuluar se Elio A., ka pasur një debat të ashpër me të motrën Zyra A., 18 vjeçe, që ka degjeneruar në konflikt. Gjatë sherrit në banesën e tyre, vëllai ka marrë thikën dhe ka goditur të motrën. Ajo është dërguar në spital, ndërkohë që mjekët bënë të ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Rasti i dytë është shënuar në Vorë të Tiranës. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, familja e Bledi M., 20 vjeç, ka vënë re se djali i tyre nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe që kishte të vjella. Menjëherë, ai është nisur për në spital, ku i është nënshtruar kujdesit mjekësor. Nga të dhënat spitalore ka rezultuar se ai ishte vetëhelmuar me fostoksinë. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të familjarëve të tij, policia ka konstatuar se 20-vjeçari e kishte kryer këtë veprim pas një grindjeje me prindërit. Sipas të dhënave të policisë, i riu ndodhet i shtruar në spital dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›