E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët rrëzojnë alibinë e Dajtit

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria duket se ka fakte e dëshmi që rrëzojnë alibinë e Dritan Dajtit, i cili shpjegoi vrasjen e katër policëve, duke pretenduar se ata kishin qenë grabitës.
 Njëri nga katër oficerët që morën pjesë në aksion, konfirmohet se ka qenë i veshur me rroba zyrtare të policisë, sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe verifikimit të trupave të pajetë të policëve. Sajmir Duçkollari, efektiv i Skuadrës së Operacioneve Speciale, GOS, ka marrë pjesë në aksion i veshur me një pulovër të Policisë së Shtetit. Vrasja e këtij efektivi, sipas hetimeve të prokurorisë, ka ndodhur pasi Dajti kishte dalë nga makina tip Fuoristradë "Tuareg", kur i kërkuari ka pasur mundësi të verifikojë lehtësisht para se të qëllonte. Edhe momenti i parë i përplasjes me policinë, sipas hetimit, e ka një shpjegim. Në alibinë e tij, 38-vjeçari i arrestuar për vrasje të katërfishtë, ka pretenduar se dy personat e armatosur, me maska në kokë, që iu afruan makinës së tij pasi dolën nga një automjet që kishte ndaluar ngjitur, i ishin dukur si grabitës. I pari që ka dalë nga makina, e që është qëlluar nga Dajti, ka qenë komandanti i skuadrës, Fatos Xhani. Prokuroria konfirmon se ndërhyrja e oficerit ka qenë sipas të gjitha rregullave. Ai ka dalë nga mjeti me të cilin kishte ndjekur Dajtin, është afruar tek makina e të kërkuarit dhe duke u prezantuar si punonjës policie, ka marrë drejtimin e derës së djathtë të mjetit, për ta hapur atë. Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, Fatos Xhani jo vetëm ka pohuar me zë se ishte punonjës policie, por e ka demonstruar këtë edhe me veprime konkrete.
Lufta 17 me 17
I shumëkërkuari Dritan Dajti është përballur i vetëm me një skuadër të tërë policie, megjithatë duket se ka rezistuar aktivisht. Vitet e qëndrimit në arrati duket se i kanë shërbyer të kërkuarit të ndodhej i përgatitur në çdo situatë. Të dhënat zyrtare për vendin e ngjarjes, tregojnë se në skenën e krimit janë kryer 34 qitje me armë, nga të cilat 17 janë kryer prej dy pistoletave të Dritan Dajtit, ndërsa 17 qitje janë bërë nga gjithë efektivat e policisë të angazhuar në aksion. Sipas hetuesve, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari kanë pasur nga një predhë në trup, ndërsa të gjitha goditjet e tjera të bëra nga Dajti, kanë qenë tejshpuese. Numri i qitjeve duket i barabartë nga të dyja palët, ndërkohë që bilanci u mbyll me katër oficerë të vdekur, me plagosjen e të shumëkërkuarit dhe vrasjen e mikut të tij Ledion Mara, i cili ka qenë në makinë me Dajtin. Sipas pohimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, 16 agjentë policie ishin angazhuar në terren në aksionin për kapjen e Dajtit, mesditën e 7 gushtit 2009. Skuadra që ndodhej në vijën e parë, e drejtuar nga Fatos Xhani dhe e përbërë nga Altin Dizdari, Kastriot Feska e Sajmir Duçkollari u ekzekutua.
Ndërkohë 12 agjentë të tjerë, kanë qenë në skenën e ngjarjes, por duket se kanë vepruar vetëm disa prej tyre. Në skenën e krimit është gjetur vetëm një gëzhojë kallashnikovi, armë që mbahej nga një agjent i policisë, e cila u bllokua që në qitjen e parë. Të shtënat e tjera, sipas ekspertizës, janë kryer me pistoletat e punonjësve të policisë, pasi të gjithë mbanin armë dore në aksion. 

Alibia e Dajtit pas takimit me avokatin në Spitalin e Burgut

TIRANE - Katër ditë më parë, gjatë takimit me avokatin e tij në Spitalin e Burgjeve, Dritan Dajti ka dhënë sqarimet e para lidhur me masakrën e Durrësit. Ai ka pohuar se kishte qëlluar ndaj dy personave me maska e armë në duar, të cilët iu afruan makinës së tij. Në një pohim të ngjashëm me deklaratën e bërë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Dajti ka pohuar se personat pranë mjetit të tij i kishte menduar si grabitës ndaj ka qëlluar me armë, sipas pretendimeve të tij, pa e ditur se bëhej fjalë për punonjës të policisë. Një qëndrim të ngjashëm, pritet që Dajti ta mbajë edhe zyrtarisht gjatë deklarimeve për Prokurorinë në fazën e hetimit, epo edhe për gjykatën gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor të dosjes penale. Ndërkohë, prokuroria ka verifikuar rrethanat e ngjarjes duke konfirmuar rregullshmërinë e ndërhyrjes së katër oficerëve të policisë, para se i shumëkërkuari të bënte publike alibinë e tij. Marrja në pyetje e të arrestuarit për vrasjen e katërfishtë u pengua nga mungesa e një avokati mbrojtës. Prej javës së kaluar çështja e mbrojtësit ligjor është zgjidhur pasi Dajti është marrë në mbrojtje nga avokati Arben Qeleshi. Ky i fundit u legjitimua nga prokuroria pas rreth një jave refuzimi për shkak se kishte marrë në mbrojtje më parë edhe Erges Xhoxhin, kunati Dritan Dajtit i arrestuar edhe ai ditën e masakrës së Durrësit.

Masat, aksioni "Dajti" në hetim

TIRANE - Paralelisht me hetimin penal për akuzat e vrasjes për cilësi të veçanta dhe armëmbajtje pa leje ndaj Dritan Dajtit, masakra e Durrësit po hetohet edhe në planin administrativ-ligjor, konkretisht plani operacional i policisë. Mungesa e masave mbrojtëse e efektivave të policisë që ndërhynë direkt, është një nga momentet kryesore që po hetohen. Verifikimet përfshijnë gjithë aksionin që nga momenti i marrjes së informacionit të parë për vendndodhjen e të kërkuarit deri tek përplasja me armë me skuadrën e policisë. Prokuroria pohon se nga hetimet, është mësuar se efektivat pjesëmarrës në aksionin e datës 7 gusht 2009, kanë qenë në Tiranë mëngjesin e asaj dite me detyra të ndryshme e disa në banesa. Ndërkohë, nga strukturat e policisë është marrë një informacion për vendndodhjen e të kërkuarit, që po ndiqej që më parë nga skuadra e operacioneve speciale, GOS. Menjëherë është hartuar plani operacional për kapjen e Dritan Dajtit, në të cilin ngarkoheshin 16 efektiva policie. Plani është firmosur fillimisht nga Fatos Xhani, komandant i skuadrës, më pas nga Arjan Muça, shef i Sektorit Kundër krimit të organizuar dhe më pas është paraqitur tek Drejtori i Përgjithshëm Ahmet Prençi. Ky i fundit ka miratuar planin dhe menjëherë, 16 agjentët e policisë janë nisur në drejtim të Durrësit. Ata kanë mbërritur në zonën ku ishte lokalizuar Dritan Dajti dhe e kanë ndjekur atë me makinë për disa minuta duke pritur momentin e përshtatshëm të ndërhyrjes. Gjithçka është mbajtur në konspiracion të plotë, ndërsa dijeni për aksionin kanë pasur vetëm efektivat pjesëmarrës dhe nënshkruesit e planit. Mungesa e masave mbrojtëse, antiplumb është shpjeguar deri më tani me faktin se skuadra në fjalë ka kryer mbi 100 operacione prej vitit 2006 kur u krijua dhe në asnjë rast nuk ka ndeshur në rezistencë të armatosur nga elementët kriminalë. Kjo duket se ka qenë "neglizhenca" që u ka kushtuar jetën katër oficerëve të shpallur pas ngjarjes "Dëshmorë të Atdheut". Më pas, nga momenti kur makina e Dajtit ka ndaluar në kërkim të një vendi për parkim konfirmohet se nuk ka pasur urdhra pasi efektivat kanë vepruar sipas situatës me qëllim kapjen e personit në kërkim. Ata kanë dalë në skenë vetëm pasi Dajti kishte mbetur i vetëm në makinë ndërsa nga mjeti kishin dalë 3 shoqëruesit e tij.               tr.so 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›