Vrau për hakmarrje në Fier, Yzeiri ekstradohet nga SHBA
Etleva Delia
Ekstradohet nga Amerika, Gramoz Yzeri, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për vrasje dhe organizim e drejtim të organizatave kriminale. I shumëkërkuari Yzeiri, i shoqëruar nga oficerët e Interpolit, ka zbritur në aeroportin e Rinasit në orën 23:40 të së mërkurës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Xheladin Qelisë, e ndodhur 11 vite më parë në Fier. Ekzekutimi me armë zjarri ka ndodhur në vitin 1998 për shkaqe hakmarrjeje, ndërsa autori i ngjarjes ka arritur të largohet nga Shqipëria dhe me dokumente të rreme është arratisur drejt SHBA-së, por është zbuluar shumë shpejt. Yzeiri u arrestua më 7 prill të këtij viti në Teksas të Amerikës, me një pasaportë të falsifikuar, me identitetin e rremë Adriatik Papa. Por verifikimi i gjurmëve të gishtave e nxori zbuluar dhe u identifikua si person i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale. Gramoz Yzeiri, tashmë 38 vjeç, u arrestua nga skuadra ISE e Interpol Uashingtonit, për qëllim ekstradimi në Shqipëri. Autoritetet amerikane njoftuan Interpol Tiranën për arrestimin e tij dhe menjëherë nisën procedurat e ekstradimit, deri sa ai mbërriti në pranga në Rinas dy ditë më parë.
AKUZAT
Përveç vrasjes së dokumentuar nga policia e Fierit, për të cilën ka marrë masën e sigurisë arrest me burg në Fier, 38-vjeçari akuzohet edhe për drejtim të krimit të organizuar, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike dhe falsifikim dokumentesh. Për këto vepra penale Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg në shkurt të vitit 2005. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se të gjitha krimet për të cilat akuzohet Yzeiri, dyshohet se i ka realizuar në mbështetje të Renato Salit, i njohur si Renato Çami dhe në bashkëpunim me të. Vrasja për të cilën u akuzua drejtpërdrejt Gramoz Yzeiri dhe Ranato Sali ka ndodhur më 13 qershor të vitit 1998 në lagjen "Kastrioti" të Fierit. Sipas policisë, ata kanë vrarë Xheladin Qelinë, e kanë marrë me një furgon pranë "Bar Rina" në Fier dhe pasi është dërguar në qendër të qytetit, është qëlluar për vdekje me breshëri. Ngjarja dyshohet se ka lidhje me masakrën e ndodhur në lokalin "Zërat e Natës" në vitin 1994, në Fier, ku është vrarë nipi i Renatos dhe është plagosur vetë ai. Yzeiri njihet si krahu i djathtë i Renato Salit, të cilit veç ekzekutimit të Qelias, i janë hapur dosjet si i dyshuar kryesor edhe për 3 vrasje të tjera. Yzeiri dhe Renato Sali i shpëtuan operacionit të RENEA-s për kapjen e tyre në 19 prill të vitit 2004.