Qeveria nuk zbaton MSA-së, vazhdon vjeljen e taksave për importet nga BE-ja
Ervin KOÇI
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që ka nënshkruar Shqipëria me Bashkimin Europian nuk po zbatohet. Qeveria shqiptare pavarësisht neneve të qarta të marrëveshjes së nënshkruar, vijon të vjelë taksa për importet e një pjese të mallrave që vijnë nga BE-ja. Sipas marrëveshjes, deri në vitin 2011 qeveria shqiptare duhet të ketë bërë zero të gjitha tarifat për importet evropiane, por kjo nuk ka ndodhur. Shembulli i shkeljes së marrëveshjes është mos heqja e tarifave për automjetet, si dhe për një pjesë tjetër të lëndëve të para dhe produkteve të gatshme, për të cilat detyrimet doganore vijojnë të vilen. Qeveria ka ndryshuar vetëm emrin e taksës, ç’ka përbën një tjetër shkelje të neneve të marrëveshjes. Në këtë formë qeveria po tregon një mungesë serioziteti në rrugën drejt bashkimit me vendet e BE-së, ku qëllimi i vetëm duket se është mbushja me sa më shumë para nga taksat dhe tarifat doganore të arkës së shtetit që ka mbetur bosh. Që prej nënshkrimit në vitin 2006, duhej të ishin miratuar dhe të kishin hyrë në fuqi ndryshimet fiskale për të mos penguar qarkullimin e mallrave të prodhuara në BE. Në përcaktimet e nënshkruara, thuhet qartë që Shqipëria nuk duhet të vjelë detyrime në dogana mbi mallrat që kanë origjinë nga vendet e BE-së. Por për të mos ulur të ardhurat në buxhet, qeveria shqiptare ka tjetërsuar emrin e taksës së importit të automjeteve, çka cilësohet si shkelje e neneve të marrëveshjes. Periudha e ndërmjetme gjatë bashkimit me vendet e Eruopës përcakton mbrojtjen për disa mallra. Kështu, prodhimet vendase të bujqësisë janë ndër kategoritë që mbrohen nga barra fiskale.
Kërkesa e KE
Komisioni Europian ia ka drejtuar qeverisë tonë një kërkesë për të zeruar tarifat doganore për mallrat dhe produktet e BE-së, si një prej kushteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Gjatë takimit të radhës, të zhvilluar pak kohë më parë në Bruksel, grupi i punës diskutoi, ndër të tjera, edhe problemin e taksave të larta për automjetet që vijnë nga jashtë. Pala shqiptare ka marrë rekomandime për të rishikuar politikën e taksave doganore në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Shqetësimi i KE-së lidhet me faktin e aplikimit të taksave në mënyrë jo të barabartë mes shtetasve të saj dhe palës shqiptare, në një kohë që MSA-ja sanksionon liberalizim të plotë, konkurrencë të lirë dhe kushte të barabarta. "Nuk është e drejtë që për një makinë të blerë në një vend të BE-së të paguhet taksë doganore importi, ndërsa kur shitet dhe blihet brenda Shqipërisë nuk paguhet asnjë detyrim. Ky raport duhet të ndryshojë. Ose të paguajnë të gjithë taksa, ose të hiqet fare", - mësohet të ketë thënë një nga zyrtarët e Brukselit në takim. Taksa e importit për automjetet kap vlera deri në 250 mijë lekë, në varësi të vitit të prodhimit dhe kapacitetit motorik. E vetmja taksë që aplikohej për mjetet e shitura në Shqipëri ishte ajo e regjistrimit, që nuk shkonte më shumë se 10 mijë lekë. Por, edhe këtë taksë qeveria e ka shfuqizuar në muajin shtator të vitit të kaluar. Krijimi i këtij raporti jo të barabartë ka detyruar Bashkimin Europian të parashtrojë kërkesën për rishikim të kushteve.
Kërkesa e BE-së
Shqiptarët paguajnë taksa për makina të blera në BE dhe aspak për ato që shiten brenda vendit. Ky raport nuk duket i drejtë për Brukselin, i cili sugjeron ndryshimin e skemës. Në morinë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj MSA-së (firmosur në qershor 2006), është edhe liberalizimi i plotë i tregtisë, ose operimi në kushte të barabarta. Deri tani nuk shihet ndonjë vullnet nga ana e qeverisë shqiptare për të ulur taksën doganore për makinat e importuara. E shumta që mund të bëjë është rritja e saj për makinat e vjetra që ndotin ambientin. Pikërisht kjo taksë ka përplasur palët në grupin e punës. Edhe pse është vendosur nga ne si mjet për të ulur ndotjen, aplikimi i taksës së mjedisit shikohet me dyshim nga BE-ja. Duke parë kërkesat e vazhdueshme, qeveria po përgatitet të rishikojë kuadrin ligjor. Lidhur me këtë pikë, Ministria e Financave sqaron se, do të hartohet një mekanizëm i ri për llogaritjen e taksës doganore, pa prekur TVSH-në.
Afatet e MSA-së
Pavarësisht debatit, Shqipëria është e detyruar të gjejë zgjidhjen e duhur brenda afateve të caktuara në MSA. Sikurse e parashikon marrëveshja, të paktën brenda vitit 2011, tregtia mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së duhet të funksionojë me kushte të barabarta dhe në liri të plotë (pa taksa). "Gjithsesi, pavarësisht rekomandimeve, TVSH-ja për automjetet do të qëndrojë e njëjtë, 20 për qind. Ajo çka duhet rishikuar është taksa për ndotjen në mjedis", - sqarojnë zyrtarët e Ministrisë së Financave.
28 Gusht 2009