Dy persona nën akuzë, trafikuan armë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për tre persona që akuzohen për trafik municionesh në bashkëpunim. Sipas dosjes, të akuzuar janë Fatri Gërmizi dhe Kreshnik Muja. Në datën 14 tetor 2008, në Kukës u bë arrestimi në flagrancë i Mujës, 25 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shtiqën të rrethit të Kukësit dhe Gërmizit, 25 vjeç, lindur në fshatin Bardhoc dhe banues në qytetin e Kukësit. Sipas akuzës, arrestimi i tyre u krye pasi më datë 13 tetor 2008 rreth orës 16:00‘ në vendin e quajtur Fushë-Dukagjin në aksin rrugor Kukës-Qafë-Shllak janë kapur me automjetin tip furgon "Volkswagen" me targa 154 KS 759 me drejtues shtetasin Fatri Gërmizi, ku gjatë kontrollit të ushtruar janë sekuestruar pesë copë pistoleta të tipit "Zastava" Miniblou, si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Fatri Gërmizi është gjetur dhe sekuestruar një automatik model 56. Prokuroria tha se arrestimi në flagrancë dhe hetimet e mëvonshme faktuan akuzat ndaj dy personave. Ndërkohë, dërguan një letër-porosi në Kosovë për bashkëpunëtorët e tyre. Policitë e të dy vendeve bashkëpunuan për identifikimin e personit, emri i të cilit doli nga marrja në pyetje e të pandehurve. Sipas akuzës, në Kosovë po hetohet në drejtim të kreut të trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, ku dyshohet se është një person i konsideruar si "VIP" i krimit në Kosovë dhe është në kërkim nga policia kosovare. Me 13 tetor në Fushë-Dukagjin të Kukësit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Kreshnik Muja, 25 vjeç dhe Fatri Germizit nga Kukësi, të cilëve iu gjetën në automjetin e tyre me targa të Kosovës, 5 pistoleta të tipit "Zastava" dhe "Mini Blow". Ata deklaruan para prokurorisë se: "Pistoletat i kemi blerë në Kosovë. Kemi tentuar t‘i shesim në Shkodër, por nuk kemi mundur, kështu që deshëm t‘ia kthenim personit që ia blemë". Gjatë vitit 2008 dhe në muajt e para të ‘09-ës, grupe të trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri e anasjelltas janë arrestuar nga policia shqiptare gjatë kësaj periudhe. Madje, këto grupe janë etiketuar nga drejtësia shqiptare si pjesë e rrjetit ballkanik të trafikut të armëve, ku një pjesë e tyre, sidomos pistoletat e prodhimit turk, kanë si destinacion përfundimtar Italinë apo Greqinë, ku shiten kundrejt një çmimi disa herë më të lartë, por nuk përjashtohet as shitja e tyre në Shqipëri me një çmim që varion nga 300 deri në 600 euro.