"Kashari", i liruari nga burgu kërkon ulje dënimi!
Një i dënuar për abuzime me pronat në Komunën e Kasharit ka bërë kërkesë për ulje dënimi në Gjykatën e Tiranës, disa ditë para se të lirohej përfundimisht nga Gjykata e Apelit. Ismail Sula, i dënuar nga shkalla e parë me 6.7 vjet burg dhe i dënuar nga apeli me 2 vjet liri me kusht ka kërkuar në datën 15 qershor një ulje dënimi. Dosja ndodhet në duart e gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila pritet ta pezullojë kërkesën, pasi personi kërkues është liruar nga qelitë e burgut. Sipas prokurorisë, në vitet 2000-2007, dhjetëra banorë të Komunës së Kasharit kanë denoncuar skandalin në policinë dhe Prokurorinë e Tiranës. Qindra denoncime janë regjistruar. Shtatë persona janë të implikuar në mbivendosjen e pronave, ku krahas tre krerëve të komunës, përgjegjës janë edhe Islam Shera, ish-kryeplak i Kasharit, si dhe Shefqet Alikaj, me detyrë përgjegjës i zyrës së Kadastrës. Ndërsa në rolin e sekserit janë prangosur Ismail Sula e Xhevair Hyka, njëri prej tyre kushëriri i kryekomunarit Sulaj.