E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen në plazh, plagoset me thikë 18-vjeçari

Një grindje e çastit në plazh, për pak sa nuk i ka marrë jetën një adoleshenti, i cili është goditur me thikë në qafë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 18.30 të së martës, në fshatin Zus, 3 km larg Shkodrës. Personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë qenë duke u larë në lumin Bunë, që kalon përbri këtij fshati. Një debat për çështje banale ka provokuar zënkën mes dy adoleshentëve. Pas grindjes me fjalë, të rinjtë janë ndeshur fizikisht dhe 18-vjeçari, Arlin Mehja nga ky fshat ka mbetur i plagosur rëndë pas goditjes me thikë në qafë nga një bashkëmoshatar i tij nga Shkodra. Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke lënë të riun të përgjakur. Dëshmitarët e rastit i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit, duke e dërguar menjëherë për në spitalin rajonal të Shkodrës. Mësohet se 18-vjeçari ka humbur shumë gjak, por falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve është bërë e mundur që adoleshenti të kalojë rrezikun për jetën. Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të autorit që për policin tashmë është identifikuar, por emri nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Sipas policisë janë siguruar të gjitha provat materiale dhe dëshmitë që provojnë autorësinë e të dyshuarit si autor i ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›