E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët të dehur në gjykatë

 

Armand Bajrami

Gjashtë dëshmitarë të kërkuar nga prokuroria u paraqitën dje tek Krimet e Rënda në procesin gjyqësor në ngarkim të personave të akuzuar për ngjarjen e Qafë Gjashtës.
Pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme të këtij procesi prej mungesave të avokatëve, ditën e djeshme Gjykata u njoh me rrëfimet e gjashtë sarandjotëve për ngjarjen e marsit ‘97 ku u vra dhe u dogj Gjergji Mehmeti dhe u torturua e u mbajt peng Eduart Aliaj. Debatet mes palëve ishin të pranishme në seancë, deri në masën ku pas administrimit në dosje të procesverbalit të pyetjes në polici dëshmitarit Kujtim Zyma, njëri nga mbrojtësit kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Dëshmitarët e djeshëm ishin shoqëruar forcërisht në gjykatë, ndërkohë që njëri prej tyre është paraqitur pothuajse në gjendje të dehur, çka e ka bërë të pamundur marrjen në pyetje. 
DESHMITE
Katerina Memo, ish- kuzhiniere në spitalin e Sarandës në vitin 1997 tregoi për gjykatën se ajo i kishte dërguar për të ngrënë policit të plagosur dhe torturuar më pas në Qafë Gjashtë, Eduart Aliaj. Gjithashtu dëshmitarja tha se Eduart Çipa, njëri nga të pandehurit në proces, i kishte marrë armën djalit të saj që në marsin e vitit 1997 bënte roje tek spitali i Sarandës. “Në vitin 1997 kam punuar kuzhiniere në spitalin e Sarandës. E di që në Qafën e Gjashtës është bërë luftë dhe në spital u shtrua një person i plagosur. Sanitaret dhe infermieret më kërkonin që t’i përgatisja ushqimet. Ka qëlluar që dhe unë disa herë i kam çuar ushqim sepse e dija që ishte polic. Duke qenë se nuk kishte rojë mora djalin tim të qëndronte aty dhe ia sigurova unë armën. Një ditë e gjeta djalin, që ishte goditur në kokë dhe që i kishim marrë armen. Eduart Cipa ishte ai që i kishte marrë armën”, tha dëshmitarja. Dëshmitarja nuk përmendi nëse mbi Aliajn ishte ushtruar dhunë. Nga ana e saj prokuroria kundërshtoi pjesërisht dëshminë, duke shtuar në dosje pjesë nga procesverbali i pyetjes në polici të dëshmitares, ku ajo pohonte se mbi Aliajn ishte ushtruar dhunë fizike. Dëshmitari tjetër, Hysen Hysi tregoi dje para togave të zeza atë çka i kishte treguar djali i tij për ditën e ngjarjes së Qafë-Gjashtës. Ai tha se në automjetin e djalit të tij, teksa po shkonte tek nënstacioni elektrik, kishin hipur Fatos Mahmutaj dhe Edmond Seiko, i njohur si Bubeqi. Ndërsa pasi kishin ndaluar në një pjesë të rrugës, djali i dëshmitarit kishte parë nga larg dy makina “Benz” të merrnin Seikon. Dëshmitari Sokrat Çokalli, tha dje se nuk kishte dijeni mbi ngjarjen dhe se i njihte të pandehurit vetëm si qytetarë të Sarandës. Kujtim Zyma, pohoi se ka qenë në ngjarjen e Qafë Gjashtës, por në gjendje të dehur dhe nuk kujtonte asgjë. Ndërsa pohoi se deklarimet në polici ishin shkruar nga policia. “Më kanë goditur me shkop gome. Unë nuk di të shkruaj. Më mori polici dorën dhe firmosi procesverbalin ndërkohë që nuk mu lexua ç’ishte shkruar në të”, tha dëshmitari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›