Korçë, bashkia debitore, OSSH lë në terr 24 orë vendet publike
KORÇE - Të gjitha mjediset publike të Korçës janë në terr prej 24 orësh, ndërsa qytetit të Bilishtit i mungon uji, pasi OSSH ka përdorur gërshërët për debitorët e tij në këtë qark. Mësohet se në qytetin e Korçës është prerë energjia që ndriçon rrugët, bulevardet dhe të gjitha mjediset publike, të cilët administrohen nga Bashkia, ndërsa banorëve të Bilishtit u është ndërprerë uji, pasi ujësjellësi i këtij qyteti është debitorë e vjetër tek OSSH-ja. Shqetësimi ka qenë i madh për banorët e Korçës, të cilët befasisht janë gjendur në qytetin e tyre të zhytur në errësirë. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bashkisë, e cila sipas OSSH-së nuk ka paguar faturën e energjisë për muajin korrik. Sipas zëvendëskryetarit të bashkisë Sotiraq Filo, fatura e muajit korrik është mbushur aforfe dhe energjia e faturuar nga OSSH gati është dyfishuar nga konsumimi real i saj. "Ne, nuk mund të shpërdorojmë të ardhurat e mbledhura nga taksapaguesit korçarë, duke paguar për OSSH-në energji të pakonsumuar", u shpreh Filo. Sipas tij, në faturën e muajit korrik OSSH ka faturuar të konsumuar për ndriçimin e qytetit dhe të mjediseve publike 260 mijë kilovat orë kur sipas kontaktorëve ekzistues dhe studimit që i është bërë këtij konsumi nga specialistët, maksimumi ky konsum shkon në 160-170 mijë kilovat/orë. "Qëllimisht janë lënë pa vendosur një pjesë e mirë e kontaktorëve nëpër kabina, të cilët matin energjinë e ndriçimit të qytetit dhe të mjediseve publike. Edhe aty ku janë kontaktorët, sasia e faturuar është më e madhe se ajo që lexohet në matësit. Këtij abuzimi i duhet dhënë fund. Ne kemi prova e fakte për të vërtetuar abuzimin dhe me to do t'i drejtohemi gjykatës", përfundoi Filo. Vuajtës të kësaj mosmarrëveshjeje janë 85 mijë banorët e Korçës, të cilët janë të detyruar të qarkullojnë në qytetin e tyre të zhytur në terr. Në gjendje dëshpëruese janë edhe 12 mijë banorët e qytetit të Bilishtit. Ata prej 36 orësh janë pa ujë të pijshëm për shkak të mosfurnizimit të stacionit të pompave të ujësjellësit me energji elektrike. Mësohet se ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në Bilisht prej vitesh është debitore në pagimin e dritave. Debiti shkon mbi 3.6 milionë lekë, një fond ky i konside-rueshëm dhe i papërballue-shëm për bashkinë e Bilishtit. Kryetari i Bashkisë Bilisht Valter Miza, bëri të ditur se është duke zhvilluar bisedime me drejtuesit e OSSH për të gjetur mundësinë që borxhi i krijuar në vite të likuidohet me këste, duke mundësuar furnizimin e banorëve të qytetit me ujë. j.gj.