E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në Durrës vajza e “zhdukur” në Tiranë

 

Tirane - Një minorene nga Tirana, e cila ishte denoncuar e humbur nga familjarët e saj, është gjetur 24 orë pas kallëzimit në Durrës, në shoqërinë e një bashkëmoshatari. Vajza 15-vjeçare, Morena I., nuk ishte kthyer në shtëpinë se saj në lagjen e Kombinatit në kryeqytet, që prej mëngjesit të së martës, kur ishte nisur për në shkollë. Burime nga policia thanë se prindërit e minorenes, e cila është nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Shyqyri Peza”, janë paraqitur në Komisariatin Nr.6, mbrëmjen e së martës. Ata kanë deklaruar se vajza e tyre nuk ishte kthyer në shtëpi që nga mëngjesi kur ishte nisur për në shkollë dhe nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Menjëherë policia e Tiranës ka marrë masa për gjetjen e saj, duke shtuar patrullimet në të gjitha rrugët, kryesisht në rrugët ku dilet nga kryeqyteti. Pa kaluar ende 24 orë nga zhdukja, Policisë së Tiranës i është dhënë një informacion nga Policia e Durrësit, që vajza është gjetur në qytetin bregdetar, në shoqërinë e një djali. Menjëherë në drejtim të vendndodhjes së vajzës janë nisur dy oficerë të Komisariatit Nr.6, të cilët kanë marrë urdhër që të shoqërojnë 15-vjeçaren, së bashku me djalin, të cilin ajo pretendon se e ka të dashur. Prej mëngjesit të datës 22 shtator, kur është nisur për të shkuar në shkollë, M.I., nuk është parë më nga prindërit e saj. Ata kanë pritur deri në mbrëmje, ditën e martë dhe kur vajza nuk është kthyer e kanë denoncuar si të humbur në Komisariatin Nr.6. Sipas të dhënave nga policia mësohet se familja e minorenes banon në lagjen Kombinat të Tiranës. Vajza e zhdukur është 15 vjeçe dhe është nxënëse e klasës së nëntë në shkollën 9-vjeçare “Shyqyri Peza”. Sipas deklaratave të familjarëve, ditën kur është larguar nga shtëpia ajo ka qenë e veshur me një bluzë në ngjyrë lejla me mëngë të shkurta dhe pantallona xhinse. Gjithashtu, në ndihmë të policisë, familja e vajzës ka vënë edhe një foto të saj, e cila është shpërndarë pothuajse në të gjitha drejtoritë e policisë dhe në pikat kufitare. Fillimisht policia kishte dyshime se vajza ndodhej në Sarandë, ku janë kryer mjaft kontrolle përgjatë 24 orëve, pasi disa dëshmitarë kanë deklaruar se e kanë parë duke hipur në autobusët e qytetit jugor. Por falë informacioneve që janë shpërndarë në kohë, 15-vjeçarja M.I., është gjetur në një qytet tjetër bregdetar, atë të Durrësit dhe është kthyer mbrëmë vonë pranë familjes së saj.                                    e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›