E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët tregojnë mashtrimin e agjentëve të rremë të Interpolit

Deponimet Mbi 15 persona pyeten nga oficerët e policisë gjyqësore: Na merrnin 2 deri në 6 mijë euro

Mbi 15 të dëmtuar nga skema e mashtrimit që u godit dy ditë më parë janë marrë në pyetje paraditen e djeshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Ata janë thirrur të gjithë nga oficerët e policisë gjyqësore për të dhënë deklaratat e tyre në lidhje me mashtrimin e kryer ndaj tyre. Gjatë kohës që prisnin të merreshin në pyetje njëri pas tjetrit, ata kanë qëndruar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, në të shumtën e rasteve të dëmtuarit janë përpjekur ta mbrojnë 55-vjeçarin, duke deklaruar se ai nuk kishte faj dhe duke i hedhur akuzat mbi 26-vjeçaren Adriana Ura. Për orë të tëra dëshmitarët kanë shpjeguar sesi funksiononte skema e mashtrimit dhe çfarë u ishte premtuar nga dy të arrestuarit. Më pas ata tregonin sesa para kishin paguar, ku variojnë shumat e ndryshme nga 2 mijë euro deri në 6 mijë euro. Të gjithë personat që dëshmuan për oficerët e policisë gjyqësore, kanë deklaruar se ata u ishin prezantuar sikur përfaqësonin Zyrën e Interpolit Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, duke i mashtruar, pasi u premtonin se do t’i punësonin si agjentë të Interpolit. Për këtë u kërkonin para dhe të gjithë qëndronin në pritje se kur do të fillonin punë. Megjithatë, duke u takuar herë pas here, ishin njohur edhe me persona të tjerë të mashtruar, kështu që kishin kuptuar se të gjithë ishin viktima të mashtrimit. Madje, në dëshmitë e tyre, të dëmtuarit kanë shpjeguar se Fatmir Fllaga dhe Adriana Ura kishin krijuar një staf zyre me financierë e punonjës të tjerë dhe u paraqiteshin qytetarëve sikur financoheshin nga shtetas të huaj, me drejtor të përgjithshëm një shtetas me emrin e rremë Romollo Berluskoni. Ditën e sotme dhe të hënën pritet të mblidhen dëshmi të tjera që do i bashkëngjiten dosjes për dy të arrestuarit. Ditën e djeshme, dy të arrestuarit janë dërguar në një komisariat të Tiranës për shkak të vendeve të pakta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Policia tha se po punon për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›