E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët tregojnë për torturimin dhe ekzekutimin e inspektorit

Autori i Lajmit: red.
Vazhdojnë dëshmitë në procesin gjyqësor për “Maskakrën e Qafë-Gjashtës”. Seancën e djeshme, të pranishëm në gjykatë ishin tre dëshmitarë të ardhur nga Saranda. Dëshmitari i parë ishte Edmond Kule, i cili në vitin 98 ka mbajtur postin e shefit të antiterrorit në qytetin e Vlorës. Ai deklaroi se ka qenë i pranishëm gjatë deklarimeve të të pandehurit Këndezi. Gjithashtu Kule theksoi se nuk është përdorur asnjë lloj dhune gjatë marrjes së deklarimeve. Pas kësaj deklarate, pati reagime në sallë, kur të pandehurit u shprehën se ishte duke gënjyer dhe se ndaj Këndezit ishte përdorur dhunë. Por kjo gjë u kundërshtua fort nga dëshmitari, i cili vuri në dukje se nuk ishte praktikë e tij dhe as e vartësve të tij që të ushtronin dhunë gjatë marrjes në pyetje. Kule theksoi se Këndezi implikoi veten me deklarimet e dhëna nga ana e tij dhe se ne vepruam sipas ligjit duke e arrestuar dhe duke i lexuar të drejtat. Në fund të dëshmisë së tij, Kule shtoi se njihte vetëm Edmond Sejkon. Më pas në sallë ka hyrë dëshmitari Asllan Brinja, i cili ka qenë taksist në Sarandë. Brinja deklaroi se në Qafë-Gjashtë kishte parë shumë persona të armatosur dhe një njeri të keqtrajtuar dhe të lidhur pas një peme. Atje kishte parë Xhevatin dhe persona të tjerë që ishin duke folur rreth ngjarjes. Brinja deklaroi se aty kishte marrë vesh për përleshjen dhe se Sokol Bizhga e një person tjetër kishin arritur të largoheshin dhe se një person tjetër kishte mbetur i vdekur. Brinja, gjithashtu theksoi pas disa ditësh kishte takuar të afërmit e Gjergji Mehmetit, të cilët kishin ardhur në Sarandë për të marrë kufomën e familjarit të tyre. Në përfundim ai shtoi se nuk mbante armë, por ditën e ngjarjes, kishte marrë një pistoletë, pasi ato ishin në tokë dhe mund të merrte kushdo. Keno Ahmeti ishte dëshmitari i fundit i kësaj seance. Gjatë dëshmisë së tij, Ahmeti u shpreh se për ngjarjen e kishte marrrë vesh nga altoparlantët, të cilët tregonin për një miting që po zhvillohej në “Qafë-Gjashtë”. “Pasi dëgjova këtë thirrje, im shoqe më tha që të shkoja një herë të shikoja, sepse kishte shumë mundësi që aty të ishin fëmijët. Pasi vajta atje, pashë shumë njerëz të armatosur. Aty pashë dhe një njeri të lidhur, i cili ishte i gjakosur. Pak më poshtë pashë dhe një makinë të djegur dhe një kufomë në të”, - deklaroi Ahmeti. Në fund ai tha se kishte njohur vetëm Xhevatin dhe disa persona të tjerë në turmë, ndërsa për sa u përket të pandehurve, ai nuk kujtonte gjë.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›