Dëshmitari: Aldo Baren e shpëtova nga shpërthimi
Procesi gjyqësor kundër kreut të bandës së Lushnjës ka vijuar dje me pyetjen e tre dëshmitarëve, që kanë treguar dy momente kyçe të ngjarjeve të ngjarjeve të 13 viteve më parë: atë të djegies së shtëpisë së Shkëlqim Haxhisë dhe tentativës së grupit të Tur Dajës për të eliminuar Aldo Baren. Një nga dëshmitarët ishte Musa Hatia, komshi i Bares. Ai tregoi se një ditë në verën e vitit 1997 ka qenë në plazhin e Divjakës dhe se në furgon kishte fëmijët e tij dhe nipërit e Aldo Bares (fëmijët e vëllait të tij të vrarë). “Në atë kohë isha shofer i drejtuesit të Tatimeve në Lushnjë. Pasi e shoqërova në shtëpi, se jetonte jashtë qytetit, djali im, që e kam me aftësi të kufizuara, më kërkoi ta çoja në plazh bashkë me disa fëmijë të tjerë. Nuk ia prishja dot dhe mora furgonin dhe u nisa. Pata edhe disa fëmijë të tjerë me vete, mes të cilëve nipin dhe mbesën e Alfred Shkurtit, fëmijët e vëllait të tij të vrarë. Kur u kthyem, rreth orës 6:00 të pasdites, në Shënepremte na kanë qëlluar me predha antitank. Fillimisht m’u duk sikur më plasi goma, por pastaj pasi pashë që po qëllohej i dhashë shpejtësi makinës dhe e vetmja gjë që më shkonte ndërmend ishte të shpëtoja 7 fëmijët. Në makinë me mua ishte edhe Alfred Shkurti, pasi siç thashë kishte dy nipërit me mua. Shkova në polici dhe bëra denoncimin. Ishin forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Durrësit, të cilat erdhën në vendngjarje. Edhe unë isha bashkë me ta. Aty ishte një furgon i bardhë, i cili i përkiste siç mora vesh, Shkëlqim Haxhiut. Në atë sulm ka mbetur i vdekur edhe vëllai im, Sadush Hatia, makina e të cilit u dogj dhe mbeti i qëlluar me plumb në zemër”, tha Musa Hatia.
Një tjetër dëshmitar ishte edhe Pëllumb Beqiri. Ai i tha gjykatës se xhaxhai i tij mësues është vrarë nga grupi i Lushnjës dhe këtë fakt ia kishte treguar Enver Rabija. Më pas ai shtoi se xhaxhai është vrarë aksidentalisht, pasi ndodhej me njeriun për të cilin ishte urdhëruar atentati. Ai harroi disa detaje, të cilat i lexoi më pas prokuroria. Pëllumb Beqiri ka qenë punonjës policie dhe ka rrëfyer në prokurori se në vitin 1997 ka qenë duke patrulluar në Lushnjë, kur i është afruar Leonard Prifti me dy persona të tjerë dhe i drejtoi pistoletën. Më tej ai shton se Enver Rabija ka ardhur e i ka marrë pistoletën Leonrad Priftit. Ka marrë edhe pistoletën e Beqirit dhe bashkë kanë shkuar në një ndërtesë. Tek kjo ndërtesa ka njohur Ilir Stërgun dhe brenda në të ka gjetur Alfred Shkurtin e Enver Dondollakun. Rabija, sipas dëshmitarit, i ka thënë Bares ta linin, sepse ishte djalë i mirë dhe mund ta përdornin. Ndërsa pas disa ditësh ka ndodhur në Lushnjë edhe përplasja e Alfred Shkurtit me Tur Dajën. Në këtë përplasje është plagosur Enver Rabija. Ish-polici tregoi se një ditë ka qenë tek posta e vjetër dhe Rabija e ka pyetur se çfarë e kishte Idajet Beqirin. Rabija i ka thënë se Beqiri është vrarë gabimisht, pasi Aldo Bare ka pasur si qëllim të vriste Gramoz Selmanin dhe aty ka qëlluar ai. Pëllumb Beqiri tregonte se pasi ishte njohur me ekzekutimin e xhaxhait të tij, ishte takuar shumë kohë më pas me Rabinë. Por, gjatë këtij takimi, ai i ishte treguar shumë i shqetësuar dhe donte të largohej nga vendi, pasi kishte vrarë disa njerëz të pafajshëm, për të zbatuar urdhrat e Aldo Bares. “E ndihmova Rabinë dhe ai u largua në Kretë. Pas disa kohësh kam qenë në shtëpinë e vjehrrit tim, kur më thonë që të kërkon një person jashtë. Fillimisht nuk e njoha, pasi ishte transformuar tërësisht. Rabia më tregoi se e kërkonte Enver Boriçi, i cili i kishte kërkuar që t’i mbaronte një porosi, por që nuk e dinte se çfarë ishte. Të nesërmen ai kishte udhëtuar në Tiranë, ku e takoj në rrugën ‘Myslym Shyri’. Më tregon se donin ta vrisnin. Të nesërmen e hodhën në erë në lagjen ‘Don Bosko’”, tha ish-polici.
Në gjykatë u paraqit Virgjil Haxhiu, vëllai i Shkëlqim Haxhiut. “Më quajnë Virgjil Haxhiu dhe banoj në Lushnjë. Në vitin 1998, sapo isha kthyer nga puna dhe isha shtrirë për të fjetur kur ra porta. U ngrita dhe shkova e hapa, kur disa persona më qëlluan, njëri prej tyre me qytën e armës në sy. Më tërhoqën në oborrin e banesës së vëllait dhe më pyesnin ku ishte Shkëlqimi. U thashë se nuk e dija. Ishin gati 5-6 persona. Më morën dhe më futën në një furgon të bardhë dhe një person më rrinte me pistoletë në kokë. Më pas sollën edhe nipin tim Karafilin me të shoqen dhe pastaj gruan time. Na çuan në Komisariatin numër 2 në Lushnjë. Aty takuam Alfred Shkurtin”, tregoi dëshmitari. Ai tha se pasi është kthyer nga komisariati, shtëpia e të vëllait po digjej.
#