Shkodër, Gjykata e Apelit shfajëson komisionerët e PS-së
Gjykata e Apelit në Shkodër shpall të pafajshëm tre komisionerë socialistë, të cilët akuzoheshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpërdorim detyre dhe braktisje të qendrës së votimit. Tre komisionerët e Partisë Socialiste, Edmond Pjetri, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila, u denoncuan nga KQZ për braktisje të qendrës së votimit në fshatin Juban të Shkodrës në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe u dënuan me gjobë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Shkodër. Por dje, Gjykata e Apelit ka prishur vendimin e shkallës së parë në ngarkim të tre komisionerëve të qendrës së votimit nr. 342 në fshatin Juban të Komunës Guri i Zi, duke e argumentuar vendimin me mungesë provash. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Fuat Vjerdha, me anëtarë Luan Dervishin dhe Musa Halilin, pasi dëgjoi pretendimet e organit të akuzës, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë dhe pasi dëgjoi dhe pretendimet e palës së paditur për prishjen e vendimit, vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, duke i shpallur të pafajshëm të tre komisionerët. Sipas trupit gjykues, ka mungesë provash që vërtetojnë fajësinë e tyre për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe braktisjes së qendrës së votimit, vepra këto të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor. Pas këtij vendimi, deputeti i Partisë Socialiste të Qarkut të Shkodrës, Astrit Beci, tha se vendimi i apelit shkon në të njëjtën linjë me vlerësimin e opozitës në lidhje me procesin zgjedhor në qendrën nr. 342. Tre komisionerë ishin akuzuar për braktisje të qendrës së votimit dhe marrjen e vulës së kësaj qendre votimi në fshatin Juban të Komunës Guri i Zi, më 28 qershor të vitit të kaluar. Ata pretendonin se kishin kërkuar pezullimin e procesit, i cili me vendim të KZAZ-së numër 42 në Bushat u ndërpre për disa orë, për shkak të konstatimit të disa fletëve të votimit më tepër se numri i zgjedhësve. Pas verifikimit të kutisë në KQZ, kjo e fundit konstatoi se ishin dy fletë votimi më tepër dhe e konsideroi të pavlefshëm votimin në këtë qendër. Megjithatë, KQZ denoncoi më vonë komisionerët socialistë.
#