E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: Hodhën çimento mbi varre për mos tu bërë këmbët me baltë grekëve

Korçë Çështja e dhunimit të varreve në Boboshticë sërish në gjykatë, togat e zeza thërrasin dëshmitarët e ngjarjes. Seanca e radhës e gjykimit të çështjes “Boboshtica” është zhvilluar gjatë të hënës në gjykatën e Korçës duke qenë për më tepër tejet aktive. Teksa herën e kaluar prokuroria ka bërë të ditur akuzën për tre të pandehurit, gjatë të hënës ka qenë radha e dëshmitarëve. Janë plot 8 dëshmitarë që janë thirrur në gjykatë, disa prej të cilëve banorë të fshatit Boboshticë që kanë rrëfyer se ishin grindur me punëtorët gjatë kryerjes së punimeve në varrezën e bërë të njohur të Kishës së Shën Mërisë në Boboshticë. Dy dëshmitarët kryesorë të kësaj seance gjyqësore e kryesuar nga Sonjela Voskopi kanë qenë Sotir Koço roje, në kishën e Shën Mërisë dhe Ilia Kuneshka, banor i fshatit të lartpërmendur. Ky i fundit madje ka qenë ai që ka bërë denoncimin në media pasi i janë dhunuar varret e të afërmve te tij. “Shiu ra dhe nxori kockat, se nuk mbulohen me çimento varrezat, që të bësh rrugë që mos tu bëhen këmbët grekëve me baltë”, ka deklaruar një nga dëshmitarët, ndërsa tre të pandehurit kanë kundërshtuar. Dy shtetasit e mësipërm të thirrur në cilësinë e dëshmitarit pasi kanë dhënë shpjegime edhe për prokurorinë kanë deklaruar se nga punimet dhe gërmimet mbi varrezë kanë dalë eshtrat dhe mbetjet kockore të të parëve të tyre që preheshin aty. Dëshmitarët gjithashtu kanë bërë të ditur në seancën gjyqësore se punimet janë kryer nga organizata e minoritetit grek “Omonia” dhe konkretisht në varrezë ka punuar punëtori Alqi Koroveshi. Sipas dëshmitarëve në fjalë organizata Omonia dhe Korroveshi që ka punuar në terren nuk kanë paraqitur asnjë leje nga organet kompetente dhe disa herë janë konfliktuar me banorët që kanë dashur të mos punohej në një vend të tillë duke cenuar të vdekurit. Sipas tyre, nën platformë ka pasur dhjetëra varre, por edhe pse aty kanë dalë eshtra, punimet janë vazhduar me forcë, madje një pjesë e madhe e eshtrave të të vdekurve janë larguar duke i mbledhur në thes. Në seancë kanë qenë të pranishëm të tre te akuzuarit e çështjes shtetasit Naum Disho, kreu i Omonias dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zace, të cilët pavarësisht nga dëshmitë, nuk kanë pranuar se gjatë punimeve kanë parë eshtra dhe se ato kanë dalë pas rënies së shirave të vjeshtës, nga shkarja e dheut dhe terreni i vështirë. Tashmë pritet që në seancën e radhës të dëshmojnë dhe persona të tjera të cilët nuk janë pyetur të gjithë gjatë të hënës.

Irena Vreto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›