E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton ligjin për familjet e ushtarakëve

Presidenti

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje ligjin për ndihmë financiare ndaj familjeve të policëve, punonjësve të gardës, SHISH-it dhe Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Vendimi është miratuar para një jave në sallën e Kuvendit. Sipas këtij ligji, familjarët do të përfitojnë 100% vlerën e pagës së familjarit të tyre që ka humbur jetën në krye të detyrës. Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, Presidenti Topi ka dekretuar Shpalljen e ligjit nr.10289, datë 17.06.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”. Fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, që kanë humbur jetën në detyrë, ose për shkak të saj, përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në rastin që ka humbur jetën, deri kur secili prej fëmijëve të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Pas kësaj periudhe, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar suplementar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›