E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Berisha në Shkodër pas rëndimit të situatës

SHKODËR Kryeministri Sali Berisha ka mbërritur mbrëmjen e së martës në qytetin e Shkodrës, ku pas takimit me komitetin ndërministror dhe shtabin e emergjencave civile, ka deklaruar se “ky ka qenë menaxhimi më i shkëlqyer i një katastrofe natyrore nga më të mëdhatë. Po menaxhohet një situatë kritike në shumë aspekte. Këto dy ditë ka pasur një përkeqësim të shpejtë të situatës ujore. Liqeni ka pësuar rritje të shpejtë, si pasojë e prurjeve nga Moraça dhe lumenjtë e përrejtë e Malit të Zi dhe kësaj i janë shtuar dhe reshjet e pandërprera për 24 orë, të cilat së bashku kanë sjellë shtim të prurjeve në kaskadë. Problematik është shfaqur dhe Kiri e Gjadri, që të dy së bashku kanë sjellë prurje prej 900 metër kub ujë në sekondë. Kjo ka bërë që sipërfaqja e përmbytur të shtohet, krahasuar me një ditë më parë, ku ishte 6000ha ndërsa sot (dje) është 7300 ha. Kështu ka pasur dhe rritje të numrit të shtëpive me ujë dhe atyre të rrethuara me ujë”, ka pohuar Berisha. Sipas tij, duhet të fillojë vlerësimi i dëmeve sipas ligjit të digave në qytet, ndërsa në zonat e tjera kur të largohet uji. Rikuperimi e rehabilitimi i zonës së përmbytur është plotësisht i mundur. “Ne i qëndrojmë detyrimit tonë ligjor për dëmshpërblimet. Por suksesi nuk është i mundur pa kontributin e qytetarëve. U bëj thirrje banorëve ta përballojnë me sa më pak dëme fatkeqësinë natyrore. Keni qeverinë me vete, por është e rëndësishme që në shkallë banese, lagjeje, rrugice, blloku, vetë banorët të caktojnë mënyrën e ndërhyrjes. Do bëjmë çdo gjë për ushqimin e bagëtive dhe këshillat e komunave, kryepleqtë të përcaktojnë skemën e shpërndarjes së tij. Ministria e Bujqësisë të përcaktojë rezervat. Banorët duhet të mos nguten të shkojnë në shtëpitë e tyre, por të rrinë aty ku janë të evakuuar derisa të konsolidohet moti. Luhatjet e motit janë të mëdha. Të kenë durim”, ka vijuar më tej ai. Kryeministri ka përmendur rëndësinë e ndërtimit të Bypassit, sipas specialistëve të huaj është i drejtë së bashku me sistemin e pompimit, pasi sipas tyre e bën në mënyrë efiçente mbrojtjen e qytetit. Këto janë të argumentuara e të bazuara. Shkodra nuk duhet të ketë asnjë kërcënim nga Kiri. Do të ndërhyhet në 1/3 e sipërme të Bunlës për ta pastruar. Për këtë të procedohet në kuadër të emergjencave civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›