KLD, kontroll të rreptë gjykatave nga dy inspektoratet
Inspektim të dyfishtë gjykatave, kontroll punës së gjyqtarëve në gjyqet me ndjesi më të madhe publike, shkaqeve të shtyrjeve të tyre pafundësisht dhe për pasojë lirimin e kriminelëve që u mbarojnë afatet e paraburgimit. I ashpër ka qenë toni i anëtarit të KLD-së, Neshat Fana, i cili duke iu referuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, deklaroi se asnjë prej gjyqtarëve nuk zbaton gjykimin e pandërprerë, duke sjellë zvarritje të procesit gjyqësor. “Në kaq vite, nuk kam dëgjuar një gjyqtar, që për të evituar zvarritjen e një procesi, të ketë zhvilluar një gjyq me gjykim të pandërprerë, duke e përfunduar gjyqin në orën 4 dhe duke e filluar sërish në orën 8 të ditës tjetër”, - u shpreh Fana. Kjo ka qenë tema e diskutimeve të gjera në mbledhjen e djeshme të KLD-së, ku kreu i shtetit dhe njëkohësisht edhe i KLD-së, z. Bamir Topi, kërkoi kontroll të rreptë nga ana e të dy inspektorateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë mbi gjykatat, duke iu referuar disa prej proceseve gjyqësore të papërfunduara, të cilat kanë edhe ndjeshmërinë publike më të madhe. “Duhet parë transparenca e verifikimit dhe transparenca e gjykimit për të qenë korrektë me publikun dhe me njerëzit që i kanë sytë te KLD-ja”, - u shpreh Presidenti Topi. Sipas tij, në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkohen shumë reforma. “Natyrisht, reformat më të rëndësishme janë ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, me shtetin e së drejtës, kështu që ne na imponon që të jemi të gjithë bashkëpunues në një frymë kohezioni për të realizuar implementimin e politikave për qeverisjen e gjyqësorit, për kontrollin e gjyqësorit”, - u shpreh kreu i KLD-së. Më tej në fjalën e tij, z. Topi u shpreh se mjaft qytetarë të thjeshtë kanë ankesa për mënyrën e përfundimit të disa gjyqeve, duke hedhur akuza konkrete për gjyqtarët, si dhe për ndikimet që ata kanë pasur nga persona me pushtet. “Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të vendosur, duhet të jemi shumë të fortë, duhet të jemi shumë korrektë për të gjitha çështjet me një sensibiletet të lartë publik që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, me grabitjet, me trafiqet, me njerëz që sot janë përballë me drejtësinë, por edhe me ata që nuk janë ende të kapur për t’iu drejtuar strukturave gjyqësore”, - u shpreh z. Topi.
Kontrollet
Kreu i KLD-së kërkoi një bashkëpunim mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për një kontroll rigoroz të të gjithë trupave gjyqësore, që sot kanë çështje shumë të rëndësishme, me personazhe shumë të rëndësishme të botës së krimit, për të parë transparencën e verifikimit dhe transparencën e gjyqit, për të qenë korrektë me publikun, korrektë me njerëzit që kërkojnë drejtësi, korrektë me njerëzit që i kanë sytë tek drejtësia. “Çështja e gjykimeve korrekte, të drejta, pa asnjë lloj kompromisi me krimin, me kriminelët, me botën e trafikut, me botën e zezë, e cila në mënyrë definitive duhet të marrë goditjen nga shteti ligjor në prag të realizimit të ëndrrës së shqiptarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, - u shpreh Presidenti Topi. Lidhur me kontrollet e gjykatave dhe punës së gjyqtarëve, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, kërkoi që kjo temë të futet në rendin e ditës, duke dalë në përfundimin se janë duke mbaruar afatet e paraburgimit të të akuzuarve për vrasje dhe krime të tjera të rënda. “Kohëzgjatja e procesit gjyqësor, e cila shpesh shkon deri në afatet e paraburgimit, sjell që shumë subjekte që akuzohen për krime rrezikojnë të dalin jashtë, pikërisht për shkak të zgjatjes së gjykimit”, - u shpreh Spahiu. Në këtë kontekst e ka mbajtur qëndrimin e tij të ashpër edhe anëtari i KLD-së, Neshat Fana, i cili duke iu referuar disa gjykimeve në Gjykatën e Krimeve të Rënda, propozoi që proceset të mos shtyhen, por të vazhdojnë në një maratonë disaditore deri në përfundim, një praktikë kjo e zbatuar në drejtësinë amerikane. “Prej vitesh të tëra, gjykatat shqiptare kanë hequr dorë nga një parim i detyrueshëm i gjykimit të pandërprerë”, - tha Fana, duke shtuar se janë duke dalë kriminelë nga burgu, ndërkohë që nuk ka një rast të vetëm kur një trupë gjykuese përfundon gjyqin ditën e parë dhe e vazhdon atë ditën tjetër sapo fillon orarin e punës. Sipas tij, ndonëse kjo gjykatë nuk ka ngarkesë të madhe, proceset gjyqësore i shtyn çdo dy javë. Kjo passjell, sipas Fanës, përfundim të afateve të paraburgimit dhe lirim të kriminelëve nga burgu.