E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari X vari veten, sipas policisë gjermane

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 13:38

(E plotësuar) Policia gjermane ka konfirmuar se i ashtuquajturi Dëshmitari X besohet të ketë varur veten, në mbrëmjen e së martës në Duisburg.

"Ai bëri vetëvrasje. Nuk ka indikacione për një shpjegim tjetër", tha zëdhënësi i policisë Stefan Bauer për agjencinë Associated Press.

Por, ai tha gjithashtu se një autopsi do të bëhet të enjten.

EULEX konfirmon vdekjen e Dëshmitarit "X"

EULEX ka konfirmuar se Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X në rastin Kleçka, është gjetur i vdekur në një park në Gjermani.

Autoritetet gjermane po kryejnë hetimet e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij, ka bërë të ditur ky mision.

Vetëvritet Dëshmitari X

Dëshmitari X ka bërë vetëvrasje mbrëmjen e së martës.

Ai ishte dëshmitari kryesor në Rastin Kleçka, ku deputeti Fatmir Limaj, së bashku me tetë bashkëluftëtarë të tij, akuzohen për krime lufte.

Mediat kanë spekuluar se Dëshmitari X ka bërë vetëvrasje në shtëpinë e tij në Prizren, mirëpo një Zëdhënës i Policisë së Kosovës, në një prononcim për ExpressOnline, ka mohuar që në rajonin e Prizrenit të ketë ndodhur ndonjë vetëvrasje në 24 orët e fundit.

Por, Klan Kosova, duke u thirrur në burime të saj, thotë se ky dëshmitari ia mori jetën vetës në një park në Gjermani.

EULEX ende nuk ka dhënë shpjegime për vetëvrasjen e këtij dëshmitari, e as për vendin ku gjendej ai në momentet e fundit të jetës.

Dëshmitari X kishte inkriminuar Fatmir Limajn në shumë krime në Kleçkë. Ai kishte deklaruar se më ose afër tre prillit 1999 atij i thanë se Fatmir Limaj kishte urdhëruar vrasjen e Velko Markoviqit dhe Nebojsha Gjuriqit, dy oficerë të policisë serbe, të cilët ishin të paraburgosur në shtëpitë e djegura në Kleçkë për rreth tre muaj. Ky dëshmitari bashkëpunues, sipas prokurorit, hezitonte shumë ta zbatonte këtë urdhër dhe nuk donte ta bënte këtë para se të bindej se Limaj vërtet e kishte lëshuar urdhrin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›