E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitari i Aldo Bares: Kam frikë, shteti më la në rrugë



Armand Bajrami

Dy javë pasi dëshmoi në gjykatë me statusin e "dëshmitarit të mbrojtur" në procesin në ngarkim të Aldo Bares tek Krimet e Rënda, A. Kicja protestoi dje publikisht kundër prokurorisë. Në kohën që në gjykatë filloi seanca e radhës në ngarkim të të akuzuarit si kreu i "bandës së Lushnjës", A. Kicja u paraqit në ambientet e jashtme të gjykatës së bashku me disa familjarë të tij. Kicja pretendoi se ai dhe familja ndjeheshin të rrezikuar pasi ishin përjashtuar nga programi për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas pretendimeve të tij, përjashtimi nga programi ishte bërë pas dhënies së dëshmisë së tij në procesin kundër Aldo Bares. Me shenja të dukshme nervozizmi, duke u përpjekur të mos fokusohej më fytyre nga mediat, ai pohoi se "na hodhën në mes të rrugës" dhe se "prokuroria nuk e mbajti fjalën". Së bashku me Kicen, para Gjykatës, godinë ku gjendet edhe Prokuroria për Krimet e Rënda, ishin edhe bashkëshortja e tij, nëna, tre fëmijët si edhe familja e vëllait të tij e përbërë nga 4 anëtarë. "Jemi mbrojtur për katër vite me radhë. Kemi qenë jashtë Shqipërisë. Na detyruan të vinim. Tani s`jam më i mbrojtur. Jemi në rrezik. Jemi hedhur në rrugë", pohuan ata. Dy familjet Kicja u larguan më pas duke pohuar se nuk mund të flisnin më, pasi kishin frikë.
DESHMIA
Në seancën e datës 31 mars 2010, A. Kicja u paraqit si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Aldo Bares, të njohur edhe si Alfred Shkurtit, në Gjykatën për Krimet e Rënda. Për shkak se gëzonte statusin e "dëshmitarit të mbrojtur" ai dëshmoi nëpërmjet video-konferencës, nga një sallë tjetër e gjykatës. Kicja rrëfeu për gjykatën episodin e vrasjes së Xhevat Demirit në gushtin e viti 1997 në Lushnje, vrasje për të cilën akuzohet edhe Bare. "Nga furgoni i bardhë nxorën Xhevat Demirin, që njihej me nofkën 'kosovari'. Pashë që Fredi (Aldo Bare) po debatonte ashpër me të. Pastaj ata vunë maska dhe e kaluan Demirin nga ana e pasme e furgonit. Ne ikëm ndërkohë që dëgjuam krisma dhe breshëri armësh zjarri. Më vonë morëm vesh që ishte vrarë 'kosovari'", tha Kicja gjatë dëshmisë së tij.
Akuzat e avokatit
Mbrojtësi ligjor i Aldo Bares, avokati Vladimir Meçi, akuzoi dje gjykatën për njëanshmëri në gjykim. Për shkak të statusit të paqartë të dëshmitarit të seancës së kaluar, Gramoz Selmani, avokati Meçi paraqiti dje një memo. Sipas avokatit, gjykata qëndroi indiferente ndaj statusit të paqartë të dëshmitarit. "Gramos Selmani duhet të ishte arrestuar dhe duhet t'i kërkohej llogari për akuzat që vetë prokuroria kishte ngritur ndaj tij" tha avokati, pasi citoi një vendim gjykatë të formës së prerë që cakton për Selmanin masën e sigurisë "arrest me burg". Kjo sipas avokatit, pasi Selmani akuzohej për gjashtë vrasje. Avokati Meçi tha se në proces po shkelet dhe dhunohet parimi i barazisë përpara ligjit. Sipas avokatit, gjykata ka vepruar në standarde të ndryshme në mospranimin e gjykimit të shkurtuar të Bares. Po sipas tij gjykata nuk ka zbatuar të njëjtin standard të përdorur në dosjen "Durrës-Kukës".

"Krimin e kreu Bare me të tjerët"
Vrasja, dëshmon me video gruaja e Xhevdet Demirit

TIRANE - Në seancën e djeshme në ngarkim të Aldo Bares, gjykata u njoh me dëshminë e një tjetër "dëshmitareje të mbrojtur". Bashkëshortja e Xhevat Demirit, M. Demiri, tregoi dje episodin e vrasjes së bashkëshortit të saj, ngjarje për të cilën akuzohet "banda e Lushnjës". Relatimi i gjykatës se "për shkak të statusit, dëshmitarja do të pyetet me anë të video-konferencës", shkaktoi reagimin e të pandehurit Aldo Bare. "Pse të jetë e mbrojtur kjo dëshmitare? Kjo po mbron komshinjtë, apo burrin? Kjo është e vetmja dëshmitare okulare kur i kanë vrarë burrin. Se kuptoj pse është 'e mbrojtur'", pohoi Bare nga kafazi i sallës së gjyqit. Për shkak të statusit të dëshmitares, gjykata pranoi dje edhe kërkesën e prokurorisë për një seancë me dyer të mbyllura. Burime pranë seancës, sqaruan se M. Demiri dëshmoi edhe njëherë para gjykatës ngjarjen e vitit 1997, ku mbeti i vrarë bashkëshorti i saj. Mësohet se dëshmitarja ka pohuar se bashkëshortin e saj e kanë vrarë 4 vetë të "bandës së Lushnjës". Sipas pohimeve të saj para gjykatës, mes personave që kanë qëlluar mbi bashkëshortin e saj ishin Aldo Bare dhe Enver Dondollaku. Sipas dëshmitares, motiv i ngjarjes kishte të bënte me veprimtarinë si biznesmen së bashkëshortit të viktimës. Mësohet se gjatë dëshmisë ka pasur disa kundërshti nga i pandehuri Bare dhe mbrojtësi i tij ligjor. Ata kanë pretenduar se dëshmitarja po përmendte fakte që nuk i kishte thënë më parë në deklarimet e dhëna gjatë fazës së hetimeve paraprake. M. Demiri, vjen për herë të dyte tek Krimet e Rënda. Ajo ka dëshmuar edhe në procesin paralel me 10 të pandehurit të akuzuar si anëtarë të "bandës së Lushnjës". ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›