E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, “Zhaku” miku i artistëve kapet me kokainë



Etleva Delia

Zhaklin Krasniqi, i njohur me pseudonimin “Zhaku”, mik dhe furnitor me kokainë i disa personazheve “VIP” të artit në Tiranë, arrestohet me 408 gramë kokainë. I dyshuari 26-vjeçar, i njohur me pseudonimin “Zhaku”, është arrestuar gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, pasi në makinën e tij tip “Smart”, është gjetur një sasi prej 408 gramë lëndë narkotike, kokainë. Sipas burimeve nga Antidroga e Tiranës, mësohet se vlera e sasisë së drogës së sekuestruar arrin në 40 mijë euro, e llogaritur me çmimin që shitej në lokalet e natës tek ish-blloku dhe në rrugën e Elbasanit. Bashkë me 26-vjeçarin nga Kombinati i Tiranës, u arrestuan edhe dy miq të tij, Ali Lila, 20 vjeç, nga fshati Pezë e Vogël, ushtar i Repartit të Zall-Herrit dhe Rubin Ceka, 20 vjeç, nga Ndroqi. Sipas policisë, gjatë hetimeve rezultoi se të dyshuarit shisnin kokainë në sasi të konsiderueshme, por edhe të ndara në porcione të vogla, në ambientet e lokaleve të natës. Zonat ku vepronin shpërndarësit e kokainës janë kryesisht ish-blloku, rruga e Elbasanit, “Stacionit i trenit”, rruga “Myslym Shyri” dhe Kombinati në Tiranë.
OPERACIONI
I pari që ka rënë në prangat e policisë gjatë aksionit të koduar me emrin “Smart” ka qenë Zhaklin Krasniqi. Ai po drejtonte makinën tip “Smart”, ku ndodheshin edhe dy miqtë e tij Rubin Ceka dhe Ali Lila. Gjatë kontrollit policia gjeti një qese me 408 gramë kokainë, në xhepin e brendshëm të xhupit, të Zhaklin Krasniqit. Këtë sasi droge, tre të arrestuarit dyshohet se po e transportonin për tek porositësi, në këtë rast ishte një agjent i infiltruar i policisë. Gjatë orëve të vona të së martës, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë shoqëruar edhe dy të rinj nga Lezha, të cilët ishin parë duke u futur në një shtëpi të marrë me qera, ku qëndronin herë pas here tre të arrestuarit dhe ku besohet se mbahej droga. Më pas është konkluduar se dy lezhjanët nuk kishin lidhje me këtë aktivitet ndaj ata janë lënë të lirë. Tre personat e arrestuar për shpërndarje kokaine, janë mbajtur në vëzhgim për disa muaj. Sipas policisë “Zhaku”, ishte personi që krijonte lidhjet, gjatë kohës kur frekuentonte lokalet e natës në zonat më të populluara të Tiranës dhe duke u miqësuar me artistë, e personazhe “VIP” të kryeqytetit. Gjatë bisedave me miqtë, i riu nga Kombinati “reklamonte”, mallin që kishte me vete, fillimisht duke ua dhënë ta provonin e më pas nëse ata interesoheshin për më shumë, bashkë me dy miqtë e tij, u sillte sasi të tjera, duke ua shitur.

TE ARRESTUAR

1. Zhaklin Krasniqi, (Zhaku),26 vjeç,banues në Kombinat

2. Rubin Ceka, 20 vjeç,banues në Pezë e Vogël

3. Ali Lila,20 vjeç,banues Ndroq, ushtar në Repartin e Zall–Herrit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›