Dëshmitari i bandës së Lushnjës, i “pafajshëm”
TIRANE – Prokuroria mbyll dosjen penale të dëshmitarit të bandës së Lushnjës, Gramoz Selmani, i cili u denoncua për dy akuza në prokurori nga avokatët e të pandehurve. Burime zyrtare nga prokuroria e Tiranës, pohuan dje se kanë vendosur mosfillimin e procedimit penal për shtetasin Gramoz Selmani, person i thirrur si dëshmitar disa seanca më parë në gjyqin ndaj Aldo Bares, të akuzuarit si “kapo” i bandës së Lushnjës. Prokuroria tha se Selmani ishte akuzuar nga avokatët për falsifikimin e një pasaporte, me të cilën ka udhëtuar nga Greqia në Shqipëri, për t`u paraqitur si dëshmitar në gjykatën e Krimeve të Rënda. “Por nga verifikimet rezultoi, se pasaporta është në sistemin e Ministrisë së Brendshme e policisë së shtetit dhe është lëshuar konform ligjit”, - tha prokuroria e Tiranës. Pas paraqitjes së Gramoz Selmanit në gjykatë, në prill 2010, avokatët mbrojtës të të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Lushnjës”, paditën Gramoz Selmanin në prokurori për “kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe akteve të gjendjes civile”. Kallëzimi penal iu referua deklaratës së bërë nga Gramoz Selmani, në seancën e datës 1 prill 2010 në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ai ka sqaruar se kishte udhëtuar si emigrant në Greqi, në mënyrë klandestine, e po ashtu ishte kthyer në rrugë private në Shqipëri, për të dhënë deklarimet në procesin ndaj të akuzuarve si anëtarë të “bandës së Lushnjës”. Në seancë, Gramoz Selmani ka paraqitur në gjykatë si mjet identifikimi një pasaportë, e cila po ashtu sipas avokatëve, dyshohet se është e falsifikuar. Mbrojtësit ligjorë e paditën Gramoz Selmanin në prokurorinë e Tiranës, por kjo e fundit, pas verifikimeve që i ka bërë kallëzimit, ka arritur në përfundimin se dëshmitari nuk ka kryer vepër penale.