I sëmurë mendor i transferuari nga Guantanamo
TIRANE – Libiani Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin, i liruar pak kohë më parë nga burgu i Guantanamos dhe transferuar pak ditë më parë në Shqipëri vuan nga çrregullime psikologjike. Avokatja e tij amerikane Sophie ëeller, e mbërritur në Shqipëri ditën e enjte të javës së kaluar nëpërmjet Qendrës së Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës mundi të takohej me klientin e vet Abdul Rauf vetëm pasditen e së premtes në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru, Tiranë. Avokatja ëeller bëri të ditur se shkaku që ajo kishte udhëtuar në Shqipëri së bashku me një psikologe ishte fakti që klienti i saj vuante nga shqetësime psikologjike. Referuar dokumenteve të procesit gjyqësor ndaj tij, zhvilluar në SHBA del se ai vuan nga çrregullime serioze të shëndetit të tij mendor. “I paraburgosuri vuan nga probleme psikologjike, të cilat janë diagnostikuar jo plotësisht, pasi nuk janë probleme të dukshme të çrregullimeve psikopatike, por probleme të një personaliteti skizotipik që shfaqet me paranojë, ankth social dhe sjellje të çuditshme. I paraburgosuri shfaq sjellje trishtimi dhe paqetësie në grup, dhe ankohet për pushtim rastësor nga demoni që e detyron atë të sillet në disa raste në një mënyrë të çuditshme”, thuhet në raportin psikologjik të përgatitur nga ekspertët për llogari të gjykatave amerikane ku është gjykuar i transferuari në Shqipëri. Ndërkohë sipas avokates së libianit Abdul Rauf, klienti i saj ka nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor ndaj për këtë, gjatë javës në vazhdim pritet që në Tiranë të mbërrijë një tjetër jurist amerikan i cili do të ndjekë nga afër rastin e Abdul Rauf. Rauf u transferua nga qendra e paraburgimit Guantanamo drejt Shqipërisë pak ditë më parë së bashku me Saleh bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane dhe Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane. fa.ma.