Dëshmitari nuk ka dëgjuar për rrëmbim
Ka vazhduar me një dëshmitar të ri, në ditën e dytë procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Beograd, kundër nëntë shqiptarëve të arrestuar dhe tetë të tjerëve që konsiderohen në arrati, të njohur si “Grupi i Gjilanit”.
Për dallim prej dëshmitarit “B1”, i cili ka dëshmuar të hënën në gjykatë, dëshmitari i dytë, ka theksuar se nuk ka dëgjuar për historinë e konviktit në të cilin thuhet se janë kryer krimet e përmendura në aktakuzë. Ai ka deklaruar se njeh njërin nga të akuzuarit që konsiderohet në arrati, i cili ka jetuar sipas tij në lagjen e romëve në Gjilan.
Dëshmitari në gjykatë, ka theksuar se nuk ka dëgjuar për rrëmbime dhe vrasjet. Ai, ka deklaruar se ka dëgjuar për vrasjen e personit, i cili ka qenë punëtor në varrezat e Gjilanit, por nuk e dinë se kush e ka vrarë atë. Dëshmitari është i është përgjigjur edhe shumë pyetjeve tjera, për afërsinë e tij me të akuzuarin që ka deklaruar se e njehë.
Deri tash në këtë proces kanë dëshmuar dy persona, por numri i dëshmitarëve që pritet të propozohen në këtë proces gjyqësor është mjaft i madh.
Ndërkaq, pritet të ketë edhe dëshmitarë shqiptarë të mbrojtur dhe njëri nga më të rëndësishmit është ai për të cilin thuhet se ka qenë pjesëtarë i UÇK-së. Shqiptarët nga Lugina e Preshevës akuzohen se në zonën e Gjilanit kanë keqtrajtuar dhe vrarë të paktën 80 persona, kryesisht të nacionalitet serb, prej të cilëve 34 ende janë të zhdukur. Prokuroria ka akuzuar edhe për 153 persona të arrestuar dhe keqtrajtuar, të cilët më pas janë liruar.