Japonezët e gatshëm për ndihmë
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati me bashkëpunëtor kanë pritur në takim një delegacion të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të kryesuar nga këshilltarja e kësaj organizate, Jumi Jasuda, më të cilët kanë biseduar për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e kësaj organizate kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në këtë fushë dhe janë interesuar për gjendjen në fushën e ambientit, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë e përgjithshme për këtë aspekt. Këshilltarja e kësaj organizate, Jumi Jasuda, ka shprehur interesim të veçantë për projektin që ka të bëjë me rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në afërsi të kompleksit industrial “Trepça”, ku ekziston një gjendje më e rëndë në këtë drejtim.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit është një prej prioriteteve të angazhimit të tij në këtë post dhe ka falënderuar delegacionin japonez për vullnetin që kanë treguar për të ndihmuar. Duke u fokusuar në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, kryetari Kastrati, theksoi se në bashkëpunim me menaxherët e "Trepçës" kanë përgatitur një projekt ideor, i cili së shpejti mund të shndërrohet në projekt detajor.