E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari për Gërdecin: Nuk kishte rregullore për demontimet

Gjyqi Spiro Zaka deklaron se nuk mund të firmosej kontratë pa urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes

Një nga dëshmitarët në gjyqin e Gërdecit ka deklaruar se nuk kishte asnjë rregullore të brendshme për demontimet. Spiro Zaka, i cili ka mbajtur nga viti 2002 deri në vitin 2008 detyrën e shefit të zyrës së marketingut, e ka deklaruar këtë në seancën e radhës të procesit gjyqësor në ngarkim të 29 të akuzuarve për tragjedinë e “Gërdecit”, e cila ka vijuar dje me pyetjen e tre dëshmitarëve.

Sipas Zakës, nuk mund të hartohej dhe firmosej kontratë pa urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që MEICO në këtë proces ishte vetëm si palë me komisionerë. Gjatë dëshmisë së tij, Zaka u shpreh se nuk ka pasur një rregullore të brendshme për demontimet. Ndërkaq, një seancë më parë, Pinari deklaroi se për këtë ishte përgjegjëse Ministria e Mbrojtjes.

Dëshmitarja e parë e thirrur nga akuza ishte sekretarja e MEICO-s, Anastasia Dhimitri, e cila i sqaroi trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ritvan Hado se ishte marrë vetëm me protokollimin e shkresave mes MEICO dhe SAC, të cilat ishin të rregullta. Sipas saj, parregullsi janë vërejtur për disa muaj, pasi vulën e kishte marrë drejtori Ylli Pinari. Dhimitri sqaroi se nga korriku i vitit 2007 deri në mars të vitit 2008 nuk ka bërë asnjë shkresë, për shkak të mungesës së vulës. Më tej, ajo sqaroi se i kishte bërë kërkesë Ylli Pinarit dhe vula i ishte kthyer.

Dëshmitari i dytë që dha deklarimet e tij ishte specialisti i municioneve të MEICO-s, Jusuf Deliu, i cili shpjegoi se hyrje-daljet e municioneve bëheshin nga magazinieri i repartit, ndërsa për çdo fund muaj bënin rakordimin e punës. Ndërsa Zaka ka treguar çështjen e rregulloreve. Një seancë më parë, ish-drejtuesi i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, i marrë i pandehur pas tragjedisë së Gërdecit dhe i gjykuar me masën e arrestit me burg, ka akuzuar ushtarakët për moszbatim të urdhrave të ministrit të Mbrojtjes që shkaktuan më pas tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

Disa ditë më parë, ku Pinari ka thyer heshtjen, ka pohuar se ushtarakët kanë injoruar dhe nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të kuptuar tre urdhrat e ministrisë. Në deklaratën që ka bërë para trupit gjykues, ish-drejtori i MEICO-s ka shtuar se është për të ardhur keq që ushtarakët, megjithëse me detyra të rëndësishme, janë shprehur para gjykatës se “kështu menduam” ose “nuk kam dijeni për urdhrin”.

Deri në seancën e parafundit, Pinari kishte zgjedhur si linjë mbrojtëse mospranimin e akuzave të ngritura nga organi i akuzës dhe në fillim të shqyrtimit gjyqësor avokatët e tij sulmuan prokurorinë në lidhje me një shkresë që “shpërthimi i fabrikës së demontimit në Gërdec ishte sabotim dhe jo një aksident”. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit e këtij procesi ka ndodhur më 15 mars të vitit 2008, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›