Dëshmitë, 10 ton barut para fabrikës ditën e tragjedisë
Laureta Rryçi
TIRANË - Dëshmi tronditëse risollën dje në sallën e gjyqit tragjedinë e Gërdecit. Jo një, por disa punëtorë të fabrikës së vdekjes, të pyetur nga prokurorët, shpjeguan jo vetëm mënyrën se si ishin marrë në punë, por edhe procesin e demontimit të municioneve, edhe pse nuk kishin pasur më parë kurrfarë eksperience. Përfaqësuesit e akuzës i fokusuan pyetjet e tyre kryesish mbi ditën e tragjedisë. Punëtorët rrëfyen se atë ditë, një sasi e konsiderueshme baruti, rreth 200-215 thasë, me 50 kg secili, ishin lënë në oborrin e repartit ku po bëhej demontimi i municioneve.
Ndërsa Dritan Minxolli, ish-administratori i fabrikës së demontimit, ndërhynte herë pas here në dëshmitë e tyre për të shpjeguar pozicionin e tij në atë ngjarje. Si në seancën e parë, askush nga avokatët nuk ka pasur pyetje për dëshmitarët që kujtonin çdo moment që u është dashur të luftojnë me vdekjen. Ndërkohë, pyetje të rralla u bënë vetëm nga anëtarët e trupit gjykues, si nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, ashtu edhe nga gjyqtarja Shefkie Demiraj.
Dëshmia
Mes dëshmitarëve të shumtë ishte thirrur dje për të dëshmuar para Gjykatës për tragjedinë edhe Mustafa Laçi, ish-punëtor në fabrikën e demontimit, mbetur i plagosur bashkë me të birin, në të njëjtën ditë që humbi edhe bashkëshorten e tij. Dëshmitari i tregoi gjykatës për momentet e tmerrshme kur ishte përpjekur të shpëtonte të shoqen nga flakët. “Kur ndodhi shpërthimi i parë vrapova për të shpëtuar, por pashë që një personi para meje i kishte marrë flakë kurrizi. Kur u afrova kuptova se ishte ime shoqe, Nafija. I shova flakët me xhaketën time dhe kur e ngrita në krahë për t’u fshehur ndodhi shpërthimi i dytë. Ai na hodhi të dyve 30 metra larg e unë s’mbaj mend me gjë tjetër. Jam përmendur në Spitalin Ushtarak ndërsa ime shoqe ishte dërguar në qendrën kishte vdekur”, - tha dëshmitari. Për të shpjeguar më tepër për ditën e ngjarjes prokurorët formuluan disa pyetje për momentin që solli dhe tragjedinë. “Baruti zakonisht futej në thashë 50 kilogramësh dhe me anë të karrocave transportohej për te makinat e ushtrisë që e largonin prej aty. Ndërsa ditën e ngjarjes, nuk më kujtohet mirë, por më duket ishin rreth 200-250 thasë të tillë të lënë në oborrin e repartit ku ndodhej fabrika. Baruti ishte lënë në pjesën e hyrjes në repart. Unë ndodhesha afro 10 metra me barutin dhe kur kam parë flakët vetëm jam përpjekur të largohem”, tregoi 47-vjeçari. I pyetur nga njëri prej prokurorëve, Laçi tha se në fabrikë punonin nga 150 deri në 200 punëtorë në ditë. Asnjëri prej tyre nuk ishte trajnuar për të punuar me municionet dhe sipas dëshmitarit kushtet e sigurisë linin për të dëshiruar. Pyetjes së prokurorit se a kishte të mitur në fabrikë, dëshmitari iu përgjigj menjëherë se një nga të miturit ishte edhe djali i tij 15 vjeç, Vasil Laçi. Ai përmendi si persona që i kishte parë te fabrika, emrat e të pandehurve Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji. Ndërkohë që Laçi ishte dëshmitari i radhës që përmend edhe person tjetër që me sa duket ka pasur rol drejtues dhe të gjithë i mbajnë mend vetëm emrin Vangjel. Gjykata vijoi marrjen e dëshmive edhe të disa ish-punonjësve të tjerë, mes të cilëve dy të mitur.
Procesi
Prej disa ditësh, procesi për çështjen "Gërdeci" ka hyrë në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen nga Gjykata. Të pandehur në këtë proces janë 29 persona, shumë nga të cilët ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë, të cilët akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa pati dëme të konsiderueshme materiale. Në grupin e dëshmitarëve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi shpërthimi, Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë pushoi çështjen e ngritur ndaj tij pasi ai u rizgjodh deputet.
Dëshmitari: “Në fabrikë na punësoi Dritan Minxolli”
Mustafa Laçi, i pyetur nga prokurorët, pohoi se në fabrikë i punësoi Dritan Minxolli. Ai shtoi se nuk do të futej kurrë në një punë të tillë ku demontimi kryhej në kushte primitive, por hallet e detyruan të punonte me armët dhe në kushte shumë të vështira. Në këtë pikë të deklaratës ka reaguar i pandehuri Minxolli, që e ka pyetur se “pse nuk qenka ankuar asnjëherë në zyrën e tij zotëria për kushtet e këqija në punë?”. Mustafa Laçi reagoi ashpër se “jetoja në kushte kaq të vështira, sa nuk mund të ankohesha për asgjë”. Dëshmia e Mustafa Laçit vijoi me faktet se në kohën që është punësuar në “Albademil” nuk ka pasur asnjë kontratë punësimi dhe kushtet e sigurisë nuk përkonin aspak me një fabrikë ku demontohej municion i atij kalibri.
Dëshmon i mituri
Më pas, dëshmitari i radhës, Vasil Laçi, 17 vjeç, një nga të mbijetuarit e shpërthimit të 15 marsit të vitit 2008 në Gërdec, djali i Mustafa Laçit, pohoi se në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Vorës, ishin të punësuar edhe të mitur të tjerë. Deklarata për punësimin e të miturve pason ato të dhëna që gjatë këtyre ditëve kanë dhënë edhe dëshmitarë të tjerë në këtë proces. I mituri pohoi se së bashku me anëtarët e familjes së tij, babanë dhe nënën e tij, ishin të punësuar në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, ku paguheshin secili sipas normës. Ai deklaroi se punën në fabrikë e kishte filluar pasi një i afërm i tij kishte kontaktuar me drejtorin e fabrikës, të pandehurin Dritan Minxolli. Duke folur mbi procesin e punës që bënte për çmontimin e municioneve luftarake dhe transportimin e barutit në kontejnerë, ai deklaroi se kishte parë edhe bashkëmoshatarë të tij që punonin në fabrikë. Siç bëri të ditur 17-vjeçari, puna në fabrikë ishte organizuar në grupe me nga 3 ose 4 punëtorë, që merreshin me procese të ndryshme si demontim dhe transportim të municioneve luftarake, fishekë dhe predha dhe barut, nën mbikëqyrjen e një specialisti. Dëshmitari tregoi se ishte trajnuar për punën që do të bënte vetëm tri ditët e para në fabrikë. 17-vjeçari tregoi se veglat e tij të punës ishin leva për hapjen e arkave me municion, fishekë dhe predha të demontuara, pinca si dhe kaçavida.
Shkëlqim Sefa: “Në fabrikë mungonin kushtet e sigurisë”
Shkëlqim Sefa ishte një nga punëtorët e parë të mbledhur nga kompania private “Albademil”. Ai tregoi dje në sallën e gjyqit se fillimisht me denontimin ishte marrë në një zonë afër Aeroportit të Rinasit dhe më pas kishin kaluar në Gërdec. Sefa tregoi se mbante mend kur në fabrikë vinte Mihal Delijorgji dhe Patrik Henri. Sipas tij, më shpesh shikonin drejtorin, Dritan Minxolli. “Ne punonim në kushte që vetëm sigurie jete nuk të jepnin. Karrocat ishin pothuajse të gjitha të prishura”, - tregon Sefa, duke shpjeguar me detaje mbi kushtet e punës. Sefa mban dhe pengun për humbjen e së motrës, pasi ka qenë ai që i ka shtyrë familjen e saj të punësoheshin atje.
15 Dhjetor 2009