E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetori muaji më i shtrenjtë, rriten çmimet e artikujve të shportës



Ervin KOÇI

Çmimet e artikujve të konsumit kanë nisur rritjen e tyre të përvitshme dhe tani të gjithë konsumatorët shqiptarë duhet të mendohen mirë. Secila familje shqiptare duhet ti bëjë mirë llogaritë, pasi tani jemi në muajin dhjetor dhe siç është bërë traditë çmimet e mallrave të ndryshme dhe kryesisht të konsumit të përditshëm kapin vlera të frikshme. Sipas një sjellje të shndërruar në traditë tashmë, çmimet e artikujve të shportës në vend shtrenjtohen gjatë fundit të vitit duke arritur kulmin në ditët e fundit të muajit dhjetor, ndryshe nga sa ndodh në vende të tjera edhe pse ato kanë përjetuar krizë financiare më të rëndë se Shqipëria. Por kjo sjellje nuk ka të bëjë me krizën dhe as me përmasat e zhvillimit ekonomik, por me mentalitetin që i shoqëron tregtarët vendas. Dhjetori është muaji që shënon një vullnet të shqiptarëve për të konsumuar më shumë, e për pasojë edhe çmimet janë më të larta. Ushqimet janë produktet që rriten më tepër në këto ditë dhe kjo për shkak të rritjes dhe konsumit të këtyre artikujve si rezultat i festave. Çdo vit shqiptarët i janë gëzuar rritjes tradicionale të pagës, në rastet kur punojnë në shtet, apo të pensionit. Por, ka qenë rritja e çmimeve e cila e ka reduktuar gjithnjë aftësinë e tyre blerëse në treg. Në përgjithësi, në vite inflacioni ka mbetur në nivele të pranueshme, me përjashtim të një rasti, kur u arrit “majat” prej 4,4 përqindësh. Por, jo e gjithë “shporta” e mallrave është sjellë njësoj.

Shkaqet

Gjatë kësaj periudhe në rritjen e lehtë të çmimeve ka ndikuar edhe nënçmimi i lekut ndaj euros duke ndikuar në rritjen e çmimeve të importeve të mallrave. Tendenca në rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare së bashku me nënçmimin e lekut ka krijuar një presion mbi rritjen e çmimeve të mallrave, kryesisht të importit. Sipas një konstatimi të Bankës së Shqipërisë zhvillimet në çmimet e importit sugjerojnë për presione të ulëta inflacioniste nga ekonomia e jashtme. Çmimet e huaja u rritën mesatarisht me 0.4 për qind në 3-mujorin e fundit, ndërsa leku u nënçmua mesatarisht ndaj euros dhe dollarit përkatësisht me 7.7 dhe 13.1 për qind në 3-mujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për shkak të kësaj situate diferenca e inflacionit në vend me mesataren e inflacionit të Italisë dhe Greqisë, është rritur ndjeshëm gjatë dy 3-mujorëve të fundit. Ajo shënoi nivelin më të lartë në 3-mujorin e tretë përkatësisht me 1.8 pikë përqindje, ndërkohë që ka rezultuar thuajse zero gjatë periudhës 2005 - 2008.

Pasojat

Zgjerimi i këtij hendeku (mes lekut dhe valutave), sipas Bankës së Sipërisë, shoqëruar me sjelljen nënçmuese të kursit të këmbimit, mund të përbëjnë burim presionesh inflacioniste në të ardhmen. Por, pavarësisht niveleve të ulëta të çmimeve të huaja, inflacioni i importuar ka ardhur në rritje si pasojë e nënçmimit të lekut gjatë këtij viti. Veprimi i këtij faktori është ndjerë kryesisht në inflacionin e grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" dhe në komponentin e inflacionit të sektorit të mallrave të tregtueshme. Megjithëse çmimet e ushqimeve në Itali dhe Greqi janë rritur me norma të ulëta rritjeje, përkatësisht me rreth 1.1 dhe 2.0 për qind në tremujorin e tretë, dobësimi i lekut ndaj euros në terma vjetore ka frenuar përcjelljen e rënies së kostove të importuara në ekonominë e vendit.

15 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›