E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitë e vrasjes së tregtarit të makinave në derë të shtëpisë



DURRËS - Një ditë pas vrasjes se tregtarit të makinave, Ardian Çela, në fshatin Shënapremte të Durrësit, motivet dhe autorët mbeten ende të pazbardhur. Pavarësisht postblloqeve të shumta dhe kontrolleve në të gjithë zonën, efektivët nuk kanë mundur të bien në gjurmë të vrasësve. 42-vjeçari Çela, baba i dy fëmijëve të mitur, është qëlluar me breshëri automatiku pak metra larg banesës së tij. Burimet zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se janë më shumë se 15 persona, të cilët janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Ekzekutimi i 42-vjeçarit Ardian Çela ndodhi dy ditë më parë rreth orës 22:30. Burimet nga policia, që mbërriti në vendngjarje pas marrjes së njoftimit, bënë të ditur se 42-vjeçari është pak metra larg shtëpisë së tij, në fshatin Shënapremte.
Dëshmitë
Sipas dëshmive të familjarëve, Çela ndodhej në shtëpi në atë orë, por dikush e ka thirrur atë që të dilte jashtë. Vetëm pak momente më vonë të afërmit kanë dëgjuar krismat dhe kanë gjetur të vdekur në rrugicën e lagjes 42-vjeçarin. Veç familjareve janë marrë në pyetje edhe disa banorë të zonës, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar. Ekzekutimi i 42-vjeçarit Ardian Çela ka ngjallur panik dhe tronditje te banorët, të cilët i bëjnë apel policisë të jetë më prezente në komunitet për të parandaluar ngjarje të tilla. Për momentin mësohet se hetimet janë përqendruar në ndonjë konflikt që mund të ketë pasur Çela gjatë aktivitetit të tij si tregtar makinash, por nuk përjashtohet as pista e vrasjes pas një grindjeje për motive të dobëta. 42-vjeçari merrej prej vitesh me shitje të makinave të përdorura, të cilat i blinte jashtë vendit.
Ngjarja
Policia e Durrësit ka vijuar gjithë natën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe të autorëve të mundshëm të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Shënapremte të Katundit Sukth në rrethin e Durrësit. Rreth orës 22:30 të së martës, Ardian Çela ka qenë në shtëpinë e tij kur është thirrur dhe sapo ka bërë pak metra larg shtëpisë është qëlluar me armë tip automatik. Të pyetur nga policia banorët e fshatit kanë treguar se kanë dëgjuar breshëri automatiku, çka vërtetohet dhe me numrin e madh të gëzhojave që janë gjetur në vendngjarje. Nga hetimet e para mësohet se autorët kanë qenë në një distancë të afërt kur kanë qëlluar për vdekje 42-vjeçarin, baba i dy fëmijëve dhe më pas janë larguar duke përfituar dhe nga errësira. Ditën e djeshme policia nuk ka pasur ndonjë përfundim lidhur me autorët e mundshëm të vrasjes. Ardian Çela merrej prej vitesh me tregti automjetesh. Shkonte jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, për të blerë mjete të përdorura dhe më pas i shiste në tregun e Durrësit. Sipas policisë, dy janë pistat e hetimit: vrasja mund të ketë ndodhur për ndonjë borxh të pashlyer, ose pas ndonjë grindjeje banale.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›