E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, rindërtim të qendrave shëndetësore, mjekë 24 orë për banorët e Gërdecit

ISKSH-ja ka hartuar një plan për ringritjen e qendrave shëndetësore që u shkatërruan nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi një javë më parë në Gërdec. Po kështu, ky institucion ka dërguar një ekip mjekësh të familjes dhe infermierë në të gjitha qendrat pritëse për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve. ISKSH-ja ka dërguar një grup specialistësh për të bërë verifikimet në terren të dëmtimeve të qendrave shëndetësore të zonës. Me evidentimin e saktë të dëmeve materiale do të lëvrohet fondi përkatës dhe do të nisë menjëherë puna për kthimin e qendrave shëndetësore si më parë. Kështu, qendrat shëndetësore që do të ringrihen janë 6 dhe përkatësisht qendrat në Vorë, Prezë, Marqinet, Muçaj, Palaq dhe Sharg. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve dhe për t’u qëndruar pranë në këto momente të vështira është ofruar asistencë mjekësore në Shtëpitë e Pushimit në Durrës. ISKSH-ja ka vendosur mjekë familjeje 24 orë në dispozicion të këtyre banorëve për çdo problem shëndetësor të tyre. Aktualisht në 2 shtëpitë e pushimit janë vendosur mjekë dhe infermierë për tre turne, në mënyrë që këta banorë të kenë asistencë shëndetësore të pandërprerë. Mjekët do të qëndrojnë non stop edhe gjatë ditëve të pushimit. Mjekët raportojnë se problemet kryesore të banorëve kanë qenë neuroza, por edhe patologji të përgjithshme si tension, bronkit etj. Stafi mjekësor aktualisht po bën dhe depistimin e sëmundshmërisë për të gjithë banorët, gjë që do të nxjerrë në pah problemet shëndetësore të këtyre personave. Nga ana tjetër, specialistë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës kanë shkuar në vendndodhjen e qindra banorëve për të hapur libreza shëndetësore për banorët që vuajnë nga sëmundjet kronike. Në këtë mënyrë, ata do të kenë mundësi të marrin barnat me rimbursim në çdo kohë. Ndërkohë, stafi i ISKSH-së ka vendosur të mbledhë një kontribut nga pagat e tyre për t’u ardhur në ndihmë këtyre personave. Deri tani janë depozituar në llogaritë e hapura një llogari në shumën 7.1 milionë lekë të vjetra.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›